Dekania e Fakultetit të Mjekësisë: S’mbaj përgjegjësi nëse nuk riakreditohet Mjekësia

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Suzana Manxhuka-Kërliu, është shprehur kundër vendimit të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, për rritjen e numrit të studentëve në këtë Fakultet.

Sipas saj, ky vendim nuk është në dakord me vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe është në kundërshtim me rregullat akademike dhe ligjet e akreditimit.

“Vitin e kaluar kemi kërkuar rritje të numrit të studentëve (para shpalljes së konkursit), por Keshilli Shtetëror i Cilësise nuk e kishte lejuar.  Tani është marrë vendim të shtohet numri i studentëve nga ministri i Arsimit, z. Likaj pas shpalljes së rezultateve (kur dihet kush ka mbetur jashtë)”, tha ajo për KALLXO.com.

Sipas saj, ky vendim do të ndikojë shumë negativisht tek ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit, prandaj rrezikohet të penalizohet Fakultetit i Mjekësisë me humbje të akreditimit të programit të Mjekësisë së Përgjithshme.

“Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka refuzuar në mënyrë unanime kërkesën e këtyre aplikantëve për shtimin e numrit të studentëve në programin e Mjekësisë së Përgjithshme, duke theksuar se nuk duhet rrezikuar akreditimin e këtij programi shumë të rëndësishëm”, tha dekania.

Ajo shtoi se nuk do të mbajë përgjegjësi nëse nuk do të riakreditohet programi Mjekësi e Përgjithshme.

“Unë si dekane nuk mbaj përgjigjësi nëse nuk riakreditohet programi i Mjekësisë së  përgjithshme gjatë procesit të ardhshëm të riakreditimit dhe mungesës së shansës së të gjithë të interesuarve për aplikim në Mjekësinë e përgjithshme viteve të rradhës, duke qenë se Fakulteti i Mjekësisë/Universiteti i Prishtinës “Hasan Pristina” është ofruesi i vetëm i këtij programi në Kosovë”, tha Manxhuka Kërliu.

E pyetur për kapacitetet e këtij Fakulteti, ajo tha se vlerësimin e kapaciteteve për Fakultet të Mjekësisë, për secilin program e bëjnë ekspertët ndërkombëtarë të akreditimit bazuar në gjetjet gjatë inspektimit të Fakultetit të Mjekësisë në kuadër te procesit të rregullt të riakreditimit.

“Kërkesat e tyre janë shumë strikte dhe serioze, sidomos për Mjekësi të përgjithshme, ngase lidhen edhe me kapacitetet shëndetësore dhe hulumtuese, disa nga të cilat i kam cekur në përgjigjen drejtuar ministrit të Shëndetësisë, z. Zemaj”, tha në fund ajo.

Edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka kundërshtuar vendimin e ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Sahiti për KALLXO.com ka dhënë arsyet se pse nuk do të respektojnë një vendim të tillë janë se vendimi bie ndesh me kuotat e përcaktuara nga AKA dhe se bazuar në informatat nga dekania e Mjekësisë, ky Fakultet nuk ka kapacitete për më shumë studentë se numri i përcaktuar nga AKA.

Rektori shtoi se nëse UP do ta përfillte këtë vendim, do të rrezikohej akreditimi i programeve të Mjekësisë por edhe akreditimi institucional i UP-së.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.