Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dejan Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë
Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për vazhdim të masës së arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë, deri me 9 maj të këtij viti ndaj ish-zyrtarit policor, Dejan Pantiq.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Me datë 08.03.2023 Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së Arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P, ashtu që masa e Arrestit shtëpiak i është vazhduar edhe për 2 (dy) muaj, deri me datë 09.05.2023”.
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.
Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.
Pantiqit i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila masë me 28 dhjetor të atij viti i ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak e cila në janar të vitit 2023 i ishte vazhduar edhe për dy muaj.
Zëvendësimi i masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak ishte bërë pas kërkesës së prokurorisë speciale.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit” – thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Avokati i Dejan Pantiq: Klienti im ende nuk është intervistuar nga Prokuroria
Dejan Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj