Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Dejan Pantiqit i vazhdohet masa e arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj

Dejan Pantiqit, ish-zyrtar policor, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për 2 muaj.

Kështu ka vendosur sot Gjykata e Prishtinës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake me datë 05.01.2023 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të pandehurit D.P i vazhdohet masa e Arrestit Shtëpiak në kohëzgjatje edhe për 2 (dy) muaj, ashtu që Arresti Shtëpiak vazhdohet deri me datën 09.03.2023, konform nenit 183 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së.” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Pantiqit, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për sulm me mjete shpërthyese në zyrat e KQZ-së, i ishte ndryshuar masa e sigurisë nga ajo e paraburgimit në masën e arrestit shtëpiak më 28 dhjetor.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte njoftuar se kërkesën për zëvendësim të masës së paraburgimit ndaj Dejan Pantiqit e kishte bërë duke u bazuar në aspektin shëndetësor e human.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasi që i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Pantiqit kishin reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti.

Haxhiu e kishte quajtur këtë veprim si aktin më të rëndë që mund t’i bëhej vendit nga institucionet që do të duhej të ishin shembulli më i mirë i mbrojtjes së qytetarëve dhe rendit kushtetues.

Ndërsa, Kurti ishte shprehur kureshtar të dijë se cili është prokurori që e ka bërë kërkesën për arrest shtëpiak dhe gjyqtari që e ka aprovuar të njëjtën.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë më 19 dhjetor kishte lëshuar urdhëresë për Policinë e Kosovës në mënyrë që Dejan Pantiq, ish-zyrtar i Policisë së Kosovës, i dyshuar për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicë të Veriut, të transferohej në një institucion shëndetësor të përshtatshëm me qëllim që të hospitalizohet dhe t’i rivlerësohet gjendja.

KALLXO.com ka siguruar urdhëresën në të cilën thuhet se “Policia e Kosovës duhet që menjëherë të pandehurin ta dërgoj-transferojë në njërën prej qendrave të paraburgimit, ku e njëjta do të ketë në përkujdesje aspektin e përgjithshëm shëndetësor dhe sigurinë e tij”.

Një urdhëresë e tillë, kishte ardhur pasi që Gjykata kishte lejuar shefen e Njësisë Mjekësore të EULEX, doktoreshën Cristina Anghelescu që t’i bëjë një kontroll të gjendjes shëndetësore, e cila kishte përgatitur një raport mjekësor sipas të cilit, Pantiq ishte pacient me rrezik të lartë kardiovaskular.

“Rreziku rritet nga fakti se pacienti nuk e merr mjekimin e tij të rregullt, po ashtu rreziku kryesor i identifikuar pas vlerësimit tim është akcesi i vështirë në kujdesin e rregullt dhe urgjent mjekësor për një pacient me rrezik të lartë, kardiovaskular i cili ndërpret mjekimin mjekësor dhe shpall grevë urie”, thuhet në urdhëresë.

Tutje sipas urdhëresës e njëjta ka rekomanduar që pacienti të vendoset sa më shpejtë të jetë e mundur në një lokacion me aneks të menjëhershëm dhe të përshtatshëm të një objekti mjekësor, që pacienti të hospitalizohet në një institucion të përshtatshëm me qëllim që të rivlerësohet gjendja e tij e përgjithshme shëndetësore.