Degradimi i Ujëvarës së Mirushës, 'Qytetarët Aktivë' dorëzuan kallëzim penal

Organizata Jo Qeveritare “Qytetarët Aktivë” kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Prishtinës lidhur me degradimin e Ujëvarës së Mirushës.

Kjo zonë është shpallur si zonë e veçantë, lidhur me projektin “Pastrimi i Ambientit dhe rregullimi i stazës për këmbësor dhe biçikleta me ndriçim dhe pushimore prej rrugës regjionale Klinë – Gjakovë deri te Ujëvara e Mirushës.

Flutra Zymi nga organizata “Qytetarët Aktivë” deklaroi se janë disa zyrtarë që dyshohen se kanë kryer vepra penale.

“Zyrtarët e përfshirë të Komunës së Klinës dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Infrastrukturës, me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë kryer vepra penale të degradimit ose shkatërrimit të mjedisit sipas nenit 338 të Kodit Penal të Kosovës, lejimit të kundërligjshëm të instalimeve që ndotin mjedisin neni 340, keqpërdorimit të besimit neni 330 si dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me neni 414 të Kodit Penal”, ka thënë Zymi.

Po ashtu sipas Zymit projekti në fjalë ka degraduar zonën 1 dhe 2 e cila është zonë strikte e mbrojtur, kanë ndërhyrë në shtegun ekzistues në gjerësi prej 2 metra duke e degraduar në 10 deri 15 metra për 2.3 km, ndërhyrje e cila ka ndikuar në karakteristikat dhe vlerat për të cilat Mirusha është shpallur Monument Natyror sipas Nenit 14 të Ligjit për mbrojtjen e Natyrës.

Kjo nuk është hera e parë që kjo organizatë ka ngritur zërin në mbrojtje të Ujëvarës së Mirushës.

Gjatë një debati për Komunën e Klinës në KALLXO.com, Zymi ishte shprehur se Ujëvara e Mirushës është duke u shkatërruar.

“Problemi është që parku dhe Ujëvarat e Mirushës është zonë në mbrojtje, ti nuk guxon aty asnjë degë me e pre e as me e shkatrru nëse i thyen ligjet, këtu prej 2 metra, e në projekt është gjashtë metra i kanë kërku me e shkatrru florën dhe mjedisin, e këta i kanë hy 12 metra gjatësi dhe e kanë shkatërru mjedisin, florën dhe faunën në monument e shpallur ndërkombëtarisht”, kishte  thënë Zymi.

Zymi: Shëtitorja afër Ujëvarave të Mirushës është e jashtëligjshme

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.