Tubimi i qytetarëve në Komunën e Mitrovicës së Jugut Foto: Arbnora Pllana/ KALLXO.com
Dëgjimi publik në Komunën e Mitrovicës së Jugut, rregullimi i infrastrukturës - kërkesa kryesore e qytetarëve
Në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Jugut më 18.12.2024 u mbajt dëgjimi publik për raportimin mbi punën e ekzekutivit gjatë vitit 2024.
Ndonëse pritej që kryetari i Komunës, Bedri Hamza, të ishte i pranishëm, ai nuk u paraqit në këtë dëgjim publik.
Në vend të tij, hallet dhe problemet e qytetarëve i dëgjoi nënkryetari Arian Tahiri.
Tahiri tha se gjatë këtyre tre viteve është arritur të finalizohen një pjesë e projekteve.
“Mirëpo një pjesë e tyre ose një numër i madh i projekteve gjatë këtyre 3 viteve, konkretisht edhe në vitin 2024, janë realizuar apo janë në proces të realizimit” – tha nënkryetari Tahiri.
Disa prej kërkesave gjatë këtij dëgjimi ishin përmirësimi i infrastrukturës, ndriçimi publik si dhe financimi për kryetarët e këshillave të lagjeve dhe fshatrave.
Kryetari i Këshillit të lagjes “Ilirida” në Mitrovicë të Jugut, Ramadan Beshiri, foli për problemet e ndriçimit publik dhe rregullimin e disa rrugëve në këtë lagje, ndërprerjen e punimeve për çerdhen, stadiumin “Adem Jashari”, duke kërkuar që të realizohen projektet që janë biseduar edhe në dëgjimin e kaluar publik.
Një tjetër kërkesë e ngritur nga Beshiri ishte edhe financimi i kryetarëve të këshillit të lagjeve dhe fshatrave.
“Këtu jena me kryetarët e këshillave të lagjeve dhe fshatrave ku njëzëri janë duke kërkuar një të drejtë të tyre që është ligjore, gjashtë mbledhje i kanë ligjërisht gjatë vitit, për këto gjashtë mbledhje u duhet një shumë modeste në mënyrë që me pasë të paguar transportin, me pasë të paguar telefonatat e kështu me radhë. Kjo e drejtë u garantohet me udhëzim administrativ” – ka thanë Beshiri.
Tutje ai ka shtuar se është thënë se do të fillojë të rregullohet infrastruktura e shkollës fillore “Migjeni”.
“Meremetimi i shkollës “Migjeni”, fillimi, koha afatet dhe qysh do të realizohet” – tha kryetari i këshillit të lagjes “Ilirida”, Ramadan Beshiri.
Ndërsa, nënkryetari Arian Tahiri tha se kërkesën për kompensim me para për kryetarët e këshillave të lagjes apo fshatrave, e kanë trajtuar.
“Çështja e kompensimit është e nevojshme. Si kërkesë e kemi marrë, e kemi trajtuar por përballë telasheve për shkak të udhëzimeve administrative dhe ligjit të pagës janë duke u ndryshuar goxha shpesh në nivel qendror e po ka ndikime edhe në ligje lokale” – ka thënë Tahiri.
Ai ka shtuar se lagjja “Ilirida” ka pasur nevojë dhe ende ka nevojë për trajtimin e rrugëve, rrugicave dhe si Komunë “jemi duke i trajtuar ato”.
Ndërsa te çështja e rregullimit të shkollës fillore “Migjeni”, sipas nënkryetarit Tahiri, deri në shtator të vitit 2025 do të përfundojë.
Për çështjen e kompensimit të kryetarëve të këshillit të lagjeve dhe fshatrave, drejtoresha e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Igballe Islami, ka thënë se po punohet për zgjidhjen e çështjes së kompensimit.
“Po i referohem udhëzimit administrativ të vitit 2019-2021, ku janë dy udhëzime administrative, që lejohet kompensimi për kryetarët e këshillave lokalë, mirëpo me hyrjen në fuqi të zyrtarëve publikë, d.m.th. që ka hy në fuqi me 5 shkurt 2023 atëherë ka mbetë në fuqi i njëjti ku neve na obligon që me pagu për komunitet vetëm anëtarët e përhershëm të komuniteteve legjislative. në këtë rast na lejohet kompensimi për anëtarët e komunitetit për politikë dhe financa dhe anëtarët për komunitetin për komunitetet” – ka thënë Islami.
Një qytetar nga fshati Koshtovë, Besim Jashari, ngriti shqetësim për mungesën e infrastrukturës në lagjen ku ai jeton.
“400 metra është mbetur trotuari pa shtruar me ardhë deri te lagjja jonë” – tha Jashari, i cili shtoi se dëshiron të dijë kur do të realizohet deri në fund ky trotuar, duke theksuar se në atë pjesë është rreziku më i madh për qytetarët pasi veturat lëvizin me shpejtësi shumë të madhe.
Ndërsa për kryetarin e fshatit Frashër i Vogël, Mustafë Prestreshi, problem kryesor është mungesa e transportit për nxënësit e shkollës.
“58 nxënësit prej muajit shtator nuk kanë transport, tash po presim në gjysmëvjetorin e dytë mos po bëhet”- ka thënë Prestreshi.
Nënkryetari Arian Tahiri dhe drejtorët premtuan se do të bëjnë përpjekje për t’i realizuar projektet dhe për të trajtuar shqetësimet e ngritura nga qytetarët.