Mimoza Kusari Lila (Alrternativa), Gjakovë. Foto: Kallxo.com

Dega në Prishtinë shkëputet nga Alternativa e Mimoza Kusarit

Dega e partisë “Alternativa” në Prishtinë ka thënë se ka ndërprerë të gjitha format e bashkëpunimit me partinë e Mimoza Kusari – Lila.

Dega e Alternativës në kryeqytet ka thënë se këtë vendim e marrin për shkak të veprimeve të kryetares Kusari – Lila.

“Për fat të keq, pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe në partinë tonë, Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, thuhet në komunikatën për media.

“Dega e Alternativës në Prishtinë, duke i mbetur besnike parimeve të libereal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, bëri gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik. Mirëpo, ky synim i kësaj Dege, dhe i një pjese të konsiderueshme të degëve dhe anëtarësisë së Alternativës në nivel vendi, u anashkalua paturpësisht nga kryetarja Kusari-Lila dhe grupi i saj, për të çuar përpara projekte dhe ide me levërdi personale e grupore, duke anashkaluar apo nëpërkëmbur kështu të gjitha organet kryesore partiake”, thuhet tuje në njoftimin e degës së Alternativës.

Për këtë, kjo degë ka njoftuar opinionin publik se ka ndërprerë të gjitha bashkëpunimet dhe komunikimet me Alternativën e Mimoza Kusari-Lilës.

“Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo forme të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, thuhet në fund të njoftimit.