Dega e Vetëvendosjes në Mitrovicë reagon pas marrëveshjes së anëtarit të saj me LDK-në

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë ka reaguar pas marrëveshjes së anëtarit të saj, Fatmir Hasanit me kandidatin për kryetar të Mitrovicës së Jugut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Agollin.

Përmes një postimi dega e LVV-së i ka quajtur humbës nënshkruesit e marrëveshjes.

“Koalicionet parazgjedhore të partive të dyta e të treta me partitë tjera të vogla e me individë të dorës së dytë në Mitrovicë, e dëshmojnë qartë edhe një herë se humbësit po bëhen bashkë, por e tëra që do të arrijnë, do të jetë prapë një rezultat dëshpërues ngase Mitrovica i ka besuar programit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit me mbi 20 mijë vota, e njejtë do të ndodh edhe në zgjedhjet lokale me 17 tetor. Mitrovica është rreshtuar krahë Lëvizjes për të synuar zhvillimin e asesi nuk do të kthehet para vitit 2013, në kohën e krimit të organizuar”, thuhet në reagimin e degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë.

Fatmir Hasani anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh ish kundër kandidati i Agim Bahtirit për kryetar të Mitrovicës brenda LVV-së, ka zyrtarizuar dje marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Përmes një konference të përbashkët, ata kanë prezantuar marrëveshjen.

Armend Agolli, kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës tha se pikë kryesore e marrëveshjes është udhëheqja e përbashkët e Mitrovicës.

“Marrëveshja është që së bashku të udhëheqim komunën, unë si kryetar dhe Fatmiri si nënkryetar. Kjo është marrëveshja në pika të shkurta, ndërkaq për pikat e tjera, shumë shpejt do t’i bëjmë publike edhe ato”, tha Agolli.

Ndërkaq Fatmir Hasani nga LVV-ja tha se e vetmja arsye e kësaj marrëveshje është keqqeverisja e Agim Bahtirit.

“Arsyeja pse kam vendos me e përkrah Armend Agollin është se mitrovicasit janë të zhgënjyer me qeverisjen e Agim Bahtirit. Armendi është më afër idiologjisë së LVV-së sesa vet Agimi.

Unë u bëjë thirrje qytetarëve që të votojnë listën e asamblistëve të LVV-së sepse unë vazhdoj të jem në LVV por që për kryetar të votojnë Armendin”, tha ai.

Kundërkandidati i Agim Bahtirit në LVV nesër zyrtarizon përkrahjen për Armend Agollin e LDK-së