Deficiti tregtar thellohet rreth 50% më shumë në muajin mars 2021

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin mars, nga tregtia e jashtme e mallrave të Kosovës, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 45.8 për qind në muajin mars 2021, në raport me periudhën e njëjtët të vitit të kaluar, gjegjësisht në vlerë prej 320.7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 219.9 milionë eurosh sa ishin në 2020-ën. Eksporti arrin të mbuloj importin me 16.2%.

Vetëm në muajin mars, Kosova eksportoi rreth 62 milionë euro drejte vendeve tjera

“Eksporti i mallrave në muajin mars 2021 kishte vlerën 61.8 milionë euro, ndërsa importi 382.5 milionë euro, që është një rritje prej 92.2% për eksport dhe 51.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020. “, thuhet në komunikatë.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 35.1 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 17.2 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.5 për qinde përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.3 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 5.5 për qind e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij; 4.2 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Tutje të dhënat të grupeve kryesore për import: 12.6 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11.9 për qind e përbëjnë produktet minerale; 11.7 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.9 për qind e përbëjnë mjetet e transportit; 9.8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.3 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.5 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, etj.

Rreth 185 milionë euro mallra prej BE-së dhe  afër 83 milionë mallra drejt tyre

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Europianë, BE,  arritën në 19.8 milionë euro, ose rreth 32.2 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 82.8 për qind.  Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Italia 10.6 për qind, Gjermania 7.1 për qind, Holanda 2.5 për qind etj.

Nga rreth 185 milionë euro mallra sa u importuan nga BE-ja në Kosovë në muajin mars, prinë shteti i Gjermanisë

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 184.8 milionë euro, ose 48.3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 38.8%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.8%), Italia (6.1%), Greqia (5.9%), Sllovenia (3.6%), etj.”, bën të ditur komunikata.

Nga vendet e CEFTA-s, u importuan mbi 71 milionë euro mallra

Në raport  me vendet anëtare të CEFTA-së, Kosova nga 24.3 milionë euro eksport sa pati në muajin mars, eksportoi më shumë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriur

“Në muajin mars 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 24.3 milionë euro, ose 39.4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 53.4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (16.2%), Maqedonia e Veriut (12.2%), Serbia (5.8%) dhe Mali i Zi (3.3%).”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin mars të sivjetmë arritën në 71.3 milionë euro, ose 18.6 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 146.9 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia  5.9 për qind, Maqedonia e Veriut 5.6 për qind dhe Shqipëria 5.5 për qind.

Ndryshe, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 17.5 milionë euro, ose 28.5 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 14.3 për qind, dhe Zvicra 7.8 për qind.

Ndërsa importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 126.3 milionë euro, ose 33.0 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12.8 për qind dhe Kina 8.7 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikiin e raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2021.