Deficiti tregtar shkon në rreth 350 milionë euro në muajin shkurt

Deficit tregtar në muajin shkurt të këtij viti është më i lartë për 38 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 349.5 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 253.3 milionë eurosh sa ishte në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Në muajin e dytë të vitit, eksporti dhe importi shënuan rritje. Eksporti i mallrave në muajin shkurt të këtij viti kishte vlerën 65.2 milionë Euro, ndërsa importi 414.7 milionë euro, që është një rritje prej 34.8% për eksport dhe 37.5% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.9 për qind të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 23.7 për qind, e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 13.2 për qind, e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.9 për qind, e përbëjnë produktet minerale; 5.6 për qind, e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 21 për qind e përbëjnë produktet minerale; 10.9 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 9.9 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8 për qind e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.6 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.5 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, etj.

Importi nga BE u rrit rreth 28%, eksporti sa rreth gjysma e importit

Eksportet e Kosovës në 27 vendet e BE-së arritën në 19.3 milionë euro ose rreth 29.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.3 për qind.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania me 8.8 për qind; Italia me 5.1 për qind, Bulgaria me 2.4 për qind, etj.

Nga vendet e BE-së, Kosova bleu mbi 190 milionë euro mallra në muajin shkurt, me partner kryesor Slloveninë.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 190.4 milionë euro, ose 45.9% e importeve të përgjithshme; me një rritje prej 27.8%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Sllovenia (12.4%), Gjermania (10.8%), Italia (4.0%)”, thuhet në njoftim.

68 milionë euro import nga vendet e CEFTA-s

Me vendet anëtare të CEFTA-s, eksportet e Kosovës në muajin shkurt arritën në 22 milionë euro, ose 33.8 për qind, të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 36.7 për qind.

Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut me 13.4 për qind; Shqipëria me 8.8 për qind; Serbia me 6.3 për qind dhe Mali i Zi me 3.9 për qind.

Në importin 68-milionësh të Kosovës me vendës e CEFTA-s, prinë Serbia ndjekur nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipërira

“Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shkurt 2022 arritën në 68 milionë euro, ose 16.4% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 36%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.9%), Maqedonia e Veriut (4.9%) dhe Shqipëria (4.4%)”, thuhet në njoftim.

Kosova blen në Turqi e shet në SHBA

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 23.8 milionë euro, ose 36.6 për qind, si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 23.6 për qind, dhe Zvicra 7.9 për qind.

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 156.1 milionë euro, ose 37.7 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 12.9 për qind dhe Kina 9.5 për qind.

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e raportit lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2022.