Defektet e infrastrukturës kosovare

Rrugët me gropa, mungesë e sinjalistikës, mirëmbajtje e dobët por investime të mëdha. Kështu përshkruhet më së miri infrastruktura në Kosovë.

Anise miliarda euro janë investuar në autostradat e Kosovës, ato kanë probleme të vazhdueshme me mirëmbajtje. Në anën tjetër, rreth 40 për qind e rrugëve në vend nuk kanë shenjat e nevojshme. Kjo më pastaj po shkakton edhe aksidente. Vetëm brenda vitit 2020 në Kosovë kanë vdekur 72 persona në aksidentet e trafikut.

Në emisionin “Kallxo Pernime”, Malë Lokaj ka thënë se sinjalistika në rrugë mungon që tri vite pasi kompanitë janë ankuar në Gjykatën e Tenderëve.

“37 për qind e të gjitha rrugëve të Kosovës ta cilat janë nën menaxhimin e Ministrisë së Infrastrukturës, që nënkuptojnë autostradat, rrugët nacionale dhe rrugët regjionale, pra 37 për qind e tyre janë pa sinjalistikë rrugore që tri vite. Arsyeja se për tenderë ka pasur ankimime në OShP dhe ka pasur zvarritje e gjendja vazhdon të mbetet e njëjtë”, ka thënë Lokaj, i cili është drejtor i Departamentit të menaxhimit të rrugëve të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ai ka thënë se dikasteri që merret me menaxhimin e rrugëve nuk ka të drejtë ta ndalë qarkullimin në rrugët ku mungon sinjalistika. Ndërsa tha se problemet më të mëdha janë në rajonin e Dukagjinit.

“Ne si Ministri nuk kemi të drejtë me dalë në rrugë edhe me ndalë qarkullimin, kur operatorët ekonomikë ankohen, më nuk është në dorën e Ministrisë. Janë duke u sinjalizuar diku rreth 60 për qind e rrugëve të Kosovës ndërsa 37 përqindëshi bën pjesë më shumë në rajonin e Dukagjinit. Sinjalizimi bëhet çdo vit dhe në bazë të nevojave”, deklaroi Lokaj në “Kallxo Përnime”.

Malë Lokaj, drejtor i Departamentit të menaxhimit të rrugëve, Ministria e Infrastruktures. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nënkolonel Goran Stojanoviq, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Mbikëqyrje të Komunikacionit Rrugor nga Policia e Kosovës ka thënë se forcat e rendit nuk mund ta ndalin qarkullimin nëpër rrugët ku mungon sinjalistika. Një gjë të tillë, sipas tij, mund ta bëjë vetëm Ministria.

E gjithë përgjegjësia në bazë të ligjit, pra, për menaxhimin e rrugëve është në duar të Ministrisë së Infrastrukturës dhe mbrojtjes së mjedisit. Ne bëjmë rregullimin e qarkullimit rrugor në ato rrugë në pajtim me ligjin dhe me kapacitetet që kemi. Mundemi të ndalim qarkullimin rrugor vetëm në ato raste kur në rrugë ndodh ndonjë çarje e cila drejtpërdrejt do të rrezikonte pjesëmarrësit në qarkullim rrugor, përndryshe në të gjitha rastet tjera për shkak të sinjalizimit në të gjitha rrugët, këtë nuk mund ta bëjmë pa konsultim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Mbrojtjes së Mjedisit”, tha ai.

Nënkolonel Goran Stojanovic – Drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Mbikëqyrje të Komunikacionit Rrugor. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Probleme me infrastrukturën kanë edhe në komunën e Novobërdës.

Bajrush Ymeri, i cili është nënkryetar për komunitete në këtë Komunë, tha se prej kohësh kanë dërguar një kërkesë për të intervenuar në një urë e cila po ua merr jetën qytetareve.

“Probleme kemi edhe ne Novobërdë, ne e kemi ngritur një problem te një urë që me të drejtë është quajtur “ura e vdekjes”, sepse po ndodhin fatkeqësi me fatalitet, është një urë në Makresh. Pozita e saj është e rrezikshme, ndoshta kish qenë mirë me intervenu edhe Ministria në këtë drejtim dhe me deviju pak rrugën që ajo kthesë mos të jetë e rrezikshme. Së fundmi, kanë ndodhur dy raste ku njerëzit e kanë humbë jetën. Ne kemi bë kërkesë edhe te Ministria e po shpresojmë që të intervenojnë”, tha Ymeri.

Bajrush Ymeri, nënkryetar për komunitete në Novobërdë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Telashe me infrastrukturën kanë edhe në komunën e Mitrovicës së Veriut. Sërxhan Simonoviq, nga organizata joqeveritare “Human Center Mitrovica”, tha se problemet janë edhe në rrugët lokale por edhe ato regjionale.

“Nëse flasim për infrastrukturën rrugore në veri të Kosovës, aty kemi një tollovi të vërtetë. Edhe pse kemi ligje të mira, edhe pse madje ligji i vitit 2003 ka parashikuar që Ministria t’i mirëmbajë rrugët rajonale dhe rrugët magjistrale, ndërsa komuna t’i mirëmbajë rrugët lokale, mendoj që asgjë nuk ka ndryshuar në ligj nga atëherë. Ne kemi disa kompani të cilët gjoja i mirëmbajnë rrugët por nuk e di kush është përgjegjës, ne fakt kush ua jep atyre ata tenderë”, thotë ai.

“Gropat shihen në çdo anë, veçanërisht në rrugët lokale dhe në rrugët e pakategorizuara. Sa i përket konkretisht pjesës veriore dhe katër komunave veriore, aty nuk ekziston rregullimi i trafikut rrugor me ndriçim, ku bëjnë pjesë semaforët, cilët nuk i kemi. Shpesh mungon sinjalizimi rrugor”, deklaroi ai në “Kallxo Pernime”.

Sipas tij, pushteti lokal nuk ka investuar në rrugët lokale të kësaj komune.

“Ajo që paraqet një problem më të madh për neve në komunat veriore, ku gjithashtu mund t’i përfshijmë edhe komunën e Vushtrrisë dhe Skenderajn, pasi shkoj atje dhe e shoh… ajo është infrastruktura lokale, pra infrastruktura e rrjetit lokal… rrugët lokale janë të tmerrshme dhe mendoj që pjesa dërrmuese e atyre aksidenteve që nuk përfundojnë me fatalitet ndodhin në ato rrugët lokale. Kjo është në një anë. Nga ana tjetër kemi rrugë ku ka shumë gropa që shkakton shpenzime te qytetarët që vozisin, d.m.th., shpenzime te vozitësit”, tha ai.

Njëjtë probleme ka edhe infrastruktura në komunën e Pejës. Përveç rrugës nacionale, Prishtinë-Pejë, telashe ka edhe me mirëmbajtjen e rrugëve brenda qytetit të Pejës.

“Për ne problem paraqet rruga Pejë-Prishtinë, që nuk e dimë se në çfarë faze është. Po ashtu, rrugët në qytet janë disa projekte të mira por ka shumë probleme në mirëmbajtjen e rrugëve. Shumica e buxheteve shkojnë nëpër rrugë e asfalt po tani problemet janë në mirëmbajtje të tyre. Ne si OJQ e kemi ndihmu komunën me në planin për mobiliet urban, i cili adreson lëvizshmërinë e banorëve brenda qytetit të Pejës”, tha Dukagjin Nishiqi nga organizata joqeveritare “Syri i visionit”.

Mexhide Demolli- Nimani, drejtoreshë në “Lëvizjen FOL”, organizatë e cila monitoron prokurimin publik, ka thënë se menaxhimi i kontratave nga niveli qendror por edhe ai lokal, ka qenë i dobët. Sipas saj, duhet të investohet më shumë në bazën e rrugëve.

“Nuk mund të themi që kemi mirëmbajtje të mirë të rrugëve, fatkeqësisht edhe kualiteti i ndërtimit por edhe te mirëmbajtja ka probleme. Në shumë komuna kemi parë që sapo janë ndërtuar kemi pa që janë çarë, kanë dalë lulet nëpër asfalt, kemi pa edhe që asfalti nuk është asnjë centimetër shtresa, inspektorati do të duhej me qenë më aktiv në mbikëqyrje. Një menaxhim më i mirë që nënshkruhen nga shteti, sepse kemi miliona e miliarda, duhet të ketë më shumë vëmendje”, deklaroi Demolli-Nimani në “Kallxo Përnime”.

Mexhide Demolli- Nimani, “Lëvizja FOL”. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Baza kryesore është te ndërtimi i duhur sepse kemi pa shumë ura që i ka marrë uji e të kishin pasë një bazë më të mirë nuk do t’i merrte uji”, tha ajo.