Deçan, shënohet 24-vjetori i Epopesë së Dukagjinit

Aktivitete të shumta janë mbajtur sot në Deçan në 24-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve është hapur edhe ekspozita “Nismëtarët e lirisë” e Besart Gashit.

Ekspozita me portretet e luftëtarëve të UÇK-së është hapur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Bashkim Ramosaj, kryetar i Komunës së Deçanit, ka shkruar në Facebook se përmes kësaj ekspozite u përjetësuan heronjtë që ranë për atdhe.

“Në 24 vjetorin e ‘Epopesë së Dukagjinit’ dhe 23 vjetorin e ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, sot u bë hapja e ekspozitës ‘Nismëtarët e lirisë’ nga artisti Besart Gashi. Artist ky i njohur ndërkombëtarisht, njëherit pjesëtar i librit të rekordeve ‘Guinness’, i cili me mjeshtërinë e një artisti përjetësoi më së miri figurat e heronjve tonë të rënë për atdhe!”, ka shkruar ndër të tjera Ramosaj në Facebook.

Po sot, në kuadër të këtij aktiviteti u zhvilluan homazhe për të nderuar kontributin e të rënëve për liri, në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Jabllanicë dhe Koshare.

Aktivitetet për shënimin e 24-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit mbyllen nesër me homazhet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, manifestimin qendror dhe programin artistik.

Aktivitetet për 24-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit organizohen nga Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga UÇK-ja.

Foto: Facebook / Bashkim Ramosaj
Foto: Facebook / Bashkim Ramosaj