Ilustrim

Debati për picë në Kuvend, Gazmend Muja nuk pajtohet me politikën e PDK-së për këtë temë

Në seancën e jashtëzakonshme të mbajtur sot në Kuvend për të diskutuar arrestimin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, temë diskutimi u bë edhe një picë.

Pasi që deputeti i Vetëvendosjes, Amend Muja thuri lavde për Nagip Krasniqin duke thënë se ai ka thyer rekorde dhe ka rritur qarkullimin në KEK pas ardhjes së tij në krye të saj, deputeti i PDK-së Ferat Shala kishte një përgjigje.

“Me këtë nuk replikoj, pasi kam nevojë të replikoj me kolegun tim Bekim Haxhiu, i cili kur është arrestuar ia ka dërguar një picë në stacionin policor pasha besën, duke lyp pare për të akredituar universitetet publike. Prandaj, kam replikë me Bekimin që ta ka pru picën në stacion të policisë dhe të ka nxjerrë prej burgut për korrupsion” – tha Shala.

Bashkëpartiaku i tij, Bekim Haxhiu tha se është e vërtetë që ia ka dërguar picën, por nuk ka pasur asnjë ndikim në procesin e lirimit të tij.

“Është e vërtetë, që kur zotëri Muja ka qenë i arrestuar për korrupsion në rastin e akreditimit, me kërkesën e familjarëve të tij ia kam dërguar një picë në stacion policor, si humanist që jam. Por asnjë efekt dhe asnjë ndikim nuk e kam pasur në procesin e lirimit të tij. As nuk e di kur u dal prej burgu dhe as si ka përfunduar rasti i tij” – tha ai.

Muja më pas tha se përderisa nuk ishte në Kuvend janë bërë disa pretendime të pavërteta. ai tha se Bekim Haxhiun e Ferat Shalën nuk i ka takuar kurrë diku tjetër, përpos në Kuvend.

Ai shtoi se më parë ka qenë i akuzuar por është shpallur i pafajshëm.

Me këtë politikë të PDK-së, nuk u pajtua vëllai i Armend Mujës, Gazmend Muja i cili është vetë pjesë e kësaj partie.

Gjatë emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ai u kontaktua drejtpërdrejt përmes telefonit dhe u pyet për këtë çështje.

“Është absurde që anëtarët e PDK-së të thonë që ne kemi mundur të fusim diçka në burg apo jashtë burgut. Unë nuk e di se çfarë politike janë duke bërë PDK-ja që unë faktikisht jam pjesë e asaj partie” – tha ai.

Pica u përmend në Kuvend edhe nga deputeti i Vetëvendosjes Salih Zyba, i cili pyeti Haki Abazin nëse edhe ai ka provuar picën e PDK-së, pasi që ky i fundit kërkoi llogari nga Zyba lidhur me arsyet e largimeve nga puna të Linda Çavdërbashës, Tropika Agajt, si dhe Valëza Mjekut.

“Ne kemi mujtë me i nda rrugët, por rrugët nuk mundemi me ja ndalu njëri tjetrit. Prandaj në këtë moment deri sa po flet Abazi, disa çështje mundet me i pasë të drejta. Referuar deklarimit të Ferat Shalës se me pica Kamishi po mujka me liru dhe me çu në burg dikën, e kam një pyetje Abazin se mos ka provu me e kërku picën e PDK-së, në këtë rast Bekim Haxhiu se përndryshe kjo pyetje nuk duhet as për zonjën Mihaili e as për juve kryetar sepse debatin ata që e kanë propozu jo pse është në mesin tonë por temat dhe zhurmat nuk duhet të shtrohen kështu”- ka deklaruar Zyba.

“Kur t`më bie puna me hangër pica të PDK-së, besoj që shihemi tjetërkund por po ju them me shumë qartësi zotëri Zyba, mos luaj me fjalë të kota…” – iu përgjigj Abazi.

Kuvendi i Kosovës sot zhvilloi debat parlamentar lidhur me zhvillimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe përgjegjësinë e institucioneve qendrore në sektorin energjetik.