Debati për pabarazinë gjinore, deputetët bëjnë thirrje që të dënohet dhuna ndaj grave

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po debatojnë lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri, ku edhe po kërkohet të dënohet dhuna dhe pabarazia gjinore ndaj tyre.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Tinka Kurti, vrasjen e grave e quajti pandemi ndërkombëtare dhe tha se Kosova e filloi vitin me vrasjen e një gruaje.

“Kjo nuk është vetëm fenomen, por është pandemi ndërkombëtare. Këtu përfshihen edhe vrasjet e grave. Gati asnjë shtet i botës nuk e mbyll vitin pa raste femicide, ne gjithashtu. Këtë vit ne e filluam me një lajm të tillë, vrasjen e një qytetareje të Kosovës nga partneri i saj. Edhe ajo si shumë të tjera kishte kërkuar ndihmë në institucionet e sigurisë”, tha deputetja Tinka Kurti.

Ajo tha se në Kosovë, nga viti 2017 deri në 2021 janë vrarë 76 gra.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu (PDK) tha se ky debat duhet t’i shërbej identifikimit të problemeve gjinore në shoqëri.

“Shoqëria jonë vazhdon të perceptohet patriarkale, ne duhet të jemi të sinqertë me veten edhe duhet ta pranojmë se jemi shoqëri patriarkale. Edhe në dikasteret ku drejtojnë gratë ka shumë padrejtësi. Kjo qasje është thjesht diskriminim, në tregun e punës, gratë janë me paga më të ulëta”, tha Musliu.

“Diçka që është turp për një grua është turp edhe për një burrë, janë çështje që duhet të trajtohen, dhe të përmirësohen politikat gjinore. Shumë e rëndësishme është edhe mbështetja e grave për njëra-tjetrën”, tha Musliu.

Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës(LDK), Valentina Bunjaku-Rexhepi, tha se në Kosovë pandemia ka ndikuar edhe më shumë në rritjen e papunësisë së grave e po ashtu edhe në rritjen e dhunës ndaj grave.

“8 Marsi nisi si protestë por tek ne doli si festë, të gjitha raportet dalin se gratë e kanë të vështirë. Me letra gjithçka duket mirë por në zbatueshmëri del më e vështirë, pandemia jo vetëm që rriti dhunën por gratë humbën edhe vendin e punës. Gratë në Kosovë janë ende në shifrat e larta të papunësisë, vazhdojnë të mbesin në poste jo të larta, në nivel komunal, në aspektin e drejtorive komunale, në pozitën e kryetarit të komunes”, tha Bunjaku Rexhepi.

Deputetja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyçi shtoi se numri i grave të vrara vitet e fundit është shqetësues.

“Si grua jam shumë e shqetësuar dhe e di se këtë shqetësim e keni edhe ju kolege në Kuvend. Bashkë e kemi përgjegjësi që të ngritim zërin për secilën grua që vuan dhe pret mbështetje ndaj saj”, tha Bytyçi.

Kuvendi i Kosovës me kërkesë të 40 deputetëve po mban seancë të jashtëzakonshme, me një pikë të rendit të ditës- Debat parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.