FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com

Debati i BIRN vë në fokus sigurinë në trafik

Në debatin e organizuar nga BIRN, zyrtarë nga Policia e Kosovës, qeverisja lokale dhe qendrore diskutuan çështje që ndërlidhen me sigurinë në rrugët e vendit , ku më shumë se 70 njerëz kanë vdekur në aksidente trafiku vetëm në vitin 2020.

Prishtina Insight

Përkundër bllokimeve dhe kufizimeve në lëvizje që e karakterizuan vitin e kaluar për shkak të pandemisë së koronavirusit, pati 72 vdekje si rezultat i aksidenteve të trafikut në Kosovë, një mesatare prej më shumë se një vdekje në javë.

I ftuar në emisionin KALLXOPernime të BIRN i transmetuar të  martën mbrëma, Goran Stojanoviq, Drejtor i Sigurisë Rrugore në Policinë e Kosovës deklaroi se papërgjegjësia nga ngasësit ka qenë shkaktari kryesor i numrit të lartë të aksidenteve.

Sidoqoftë, ashtu sikurse faktori njeri edhe faktorë të tjerë të shumtë gjithashtu shkaktojnë probleme në rrugët e Kosovës, përfshirë mungesën e semaforëve si dhe mirëmbajtjen dhe ndërtimin e dobët.

Sipas Malë Lokajt, ushtrues detyre i drejtorit të Departamentit te Menaxhimit të Rrugëve në Ministrinë e Infrastrukturës, në tre vitet e fundit, ministria madje është përballur me pengesa në instalimin e sinjalistikës rrugore.

Lokaj bëri të ditur se 37 përqind e rrugëve të Kosovës nën menaxhimin e ministrisë nuk janë të pajisura me shenja rrugore, duke ia vënë fajin këtij dështimi çështjeve në procesin e tenderimit.

“Arsyet prapa kësaj ishin ankesat nga operatorët që aplikuan për tenderë, të cilat e penguan ministrinë të nënshkruante kontratën ku do të mundësohej instalimi i shenjave të trafikut,” tha ai.

Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së “Lëvizja FOL”, i dha përkrahje ministrit për çështjen e tenderit megjithatë këmbënguli që përveç pengesave burokratike, kishte gjithashtu probleme serioze me ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.

“Përmbytjet që i  kemi parë kohët e fundit morën me vete ura dhe rrugë”, tha ajo.

“E kemi parë dëmtimin e rrugëve vetëm disa javë pasi projektet ishin përfunduar dhe madje kishte edhe lule të shfaqura mbi asfalt!” shtoi Demolli-Nimani, duke kritikuar inspektoratin për dështimin në dënimin e kompanive që nuk i plotësonin standardet e kërkuara të cilësisë.

Srdjan Simonoviq nga OJQ “Qendra Humane”, Mitrovicë, u pajtua  me Demollin rreth cilësisë së dobët të rrugëve, duke shtuar se në katër komunat veriore me shumicë serbe të Kosovës situata është edhe më e keqe.

“Nuk mendoj se diçka ka ndryshuar ndonjëherë me mirëmbajtjen e rrugëve, pasi ne nuk jemi në dijeni se kush është përgjegjës për t’u kujdesur për rrugët”, tha ai. “Infrastruktura në veri të Mitrovicës është e tmerrshme. Nuk ka shenja rrugore, as semaforë”.

Simonoviq shtoi se rrugët e ndërtuara dhe të mirëmbajtura dobët çojnë në shpenzimin e më shumë parave të taksapaguesve për shkak të nevojës për riparime të vazhdueshme.

Debati gjithashtu u përqendrua në një shembull pozitiv të përmirësimit të sigurisë rrugore në Komunën e Prishtinës, ku në disa vendkalime këmbësorë të mirëndriçuar janë instaluar në vitet e fundit, duke shtuar kështu sigurinë për këmbësorët. 

Ky investim u përshëndet nga të gjithë panelistët, ndërsa Bajrush Ymeri, nënkryetari i Komunës së Novobërdës, deklaroi se një projekt i tillë do të mirëpritet në komunën e Novobërdes por mundësitë buxhetore e parandalojnë investime të tilla në një komunë si ajoe  Novobërdes.

Sidoqoftë, Ymeri shtoi se atij i mungonte buxheti apo mbështetja e shtetit për të zbatuar projekte të sigurisë rrugore. “6,000 euro për një projekt të tillë nuk është një shumë e madhe parash,” tha ai. “Ne i kemi shkruar ministrisë për ndihmë në projekte të tilla, por nuk kemi marrë përgjigje.”

Kjo seri debatesh për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

 

Përktheu-Nuhi Shala