Debat në mes deputetëve për shkarkimin e bordit të RTK-së
Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, është duke shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të Radio Televizionit Publik.
Valon Ramadani, nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se shkarkimi i bordit të RTK-së është i domosdoshëm duke shtuar se mediumi ka nevojë për reformim.
“RTK është e kapur, ka nevojë për një reformim pasi që janë 15 milionë euro të kuvendit, duhet me ditë ato në fund të vitit ku po shkojnë. Në RTK ka punë që edhe prokurori duhet t֝ë hetoj. Gjashtë vjet nuk kalon raporti i performancës, janë publike të gjitha. Bordet tash e sa vjet nuk propozojnë një strategji se si me dal RTK nga kjo katrahurë”, tha Ramadani.
Kësaj deklarate iu kundërpërgjigj Mërgim Lushtaku nga PDK duke thënë se, nëse ka fakte për keqpërdorime në RTK, t’i dërgoj ato në prokurori.
“Kur dëshiron ta kapësh një institucion duhet ta keni shumicën, si LVV tash që e ka. Tash e ka mundësinë, fort t’i i kap. Kemi për ta parë edhe në të ardhmen si ka me u kap bordi. Dorën në zemër janë disa informata që i kritikojë, nëse do me u marrë prokuroria, na duhet me i dërgu. Nuk duhet të mjaftohemi që veç të themi, duhet t’i dërgojmë. Duhet me përfundu koha kur jeni edhe në rolin e politikanit, gjyqtarit, qytetarit të pafajshëm, etj. Shpresoj që do e shkarkoni edhe bordin tjetër nëse bënë shkelje. I keni votat hallall ju qoftë!”, tha Lushtaku.
Ndërkaq, kryesuesja e komisionit, Doarsa Kica Xhelili tha se nuk po e dëshiron këtë “ping-pong fjalësh”.
“Ju lutem kursehuni sot nga fjalimet politike”, tha ajo.