Foto: Denis Sllovinja

Debat mes Vitisë dhe Zemajt për ngecjet në menaxhimin e pandemisë

Në seancën e Kuvendit të Kosovës po rrjedh një debat mes ish-ministrit të Shëndetësisë, deputetit Armend Zemaj dhe ministrit të tanishëm të Shëndetësisë Arben Vitia për menaxhimin me pandeminë. Me akuza e kundërakuza po akuzojnë një-tjetrin për sigurimin e vaksinave, barnave dhe aspekteve tjera shëndetësore.

“Çfarë mund të presim nga ju? A keni votuar dje në Shqipëri? Keni pasur mundësi edhe sot të qëndroni atje të i prisni rezultatet. Si me juve si pa juve njëjtë është situata me pandeminë”, tha Zemaj.

Sipas tij, për 30 ditë ka pasur me qindra të vdekur nga COVID-19 dhe mijëra të infektuar e Qeveria nuk është në gjendje as të ngushëlloj popullsinë.

“Personalisht jam i dëshpëruar me situatën e krijuar. Jo që nuk e vijoj punën time, por duket që e degradoj thellësisht gjatë 30 ditëve. Nuk e meritojnë qytetarët këtë shëndetësi. Mosvijimi i kontratave dhe kontakteve të arritura dhe moszabtimi i zotimeve, janë shumë dëshpëruese”, i tha Zemaj ministrit Vitia.

Zemaj tha se nuk ka transparencë as llogaridhënie për kontratat për vaksina.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia e akuzoi për shpifje Zemajn dhe iu kundërvu.

“Çdo ofendim tuajin do ta marr me sportivitet, por nuk mund të ju kuptoj në kohën sa keni qenë ministër sepse është e pafalshme se kalon dimensionet morale edhe personale. Ju mund të shpifni dhe kritikoni por asnjëherë nuk do u kuptoj pse në kohë pandemie keni përgjysmuar buxhetin në komuna nga 11 milionë në 5 milionë. Pse keni thënë se do të ndërtoni spitalin e Podujevës pa pasur asnjë cent të buxhetuar, pse keni filluar procedura për ndërtimin e spitalit për COVID-19 pa pasur fare mjete duke shkaktuar dëme për 400 mijë euro?” pyeti Vitia.

Përveç kësaj ai i tha Zemajt se i kanë larguar mjekët nga fronti duke sjellë specializantë në QKUK, kur nuk ka hapësirë të mësohen dhe kanë blerë auto-ambulanta 20 për qind më shtrenjtë se normalja.

‘Çka iu dashtë një ambulantë në Strellc, në vendlindjen tuaj. A do të thotë se unë duhet ta ndërtoj një në Marevc?”, tha Vitia.