Gërvalla - Tahirit: Gjykatën Speciale e keni votuar ju, ajo nuk ka pikur nga qielli - VIDEO

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka bërë një fjalim në Kuvendin e Kosovës drejtuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Ajo akuzoi që PDK është përgjegjëse për instalimin e korrupsionit dhe krijimin e Gjykatës Speciale.

“Po ju drejtohem juve deputetëve të PDK se korrupsioni nuk është shpikje e jona dhe nuk është narrativë e Serbisë por realitet i hidhur i qytetarëve të Kosovës. Qeveria jonë është zgjedh me mandatin për ta luftu krimin e korrupsionin e instaluar më së shumti nga ju në këtë vend”, tha ajo.

Gërvalla tha se Gjykata Speciale nuk është instalu nga Serbia është instalu nga PDK.

“Sepse ju jo vetëm që nuk e keni luftu dhe nuk keni ndërmarr asgjë për dënimin dhe gjykimin e krimeve të pas luftës por jeni mundu ta evitoni gjykimin e krimeve në Kosovë dhe ju jeni ata që në këtë formë e keni bërë të mundur Gjykatën Speciale.  Gjykata Speciale nuk ka piku nga qielli. Ky koalicion qeveritar nuk e ka kriju Gjykatën Speciale atë e keni krijuar ju”, tha ajo.

“Ju jeni përgjegjës që prijësit e juaj sot ndodhen në Hagë, duke mohu të vërtetën nuk do ta zgjidhni këtë çështje”, përfundoi Gërvalla.

Abelard Tahiri u kundërpërgjigj duke i thënë se Gërvalla është turpi i diplomacisë kosovare.

“Minsitre sot e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë mo me u marr me Republikën e Kosovës sepse të ka ty përfaqësues. Ti je turpi i diplomacisë. Sot me dal me than që nuk o bo prej Serbisë Gjykata Speciale është turpi me i madh për qytetarët e Republikës së Kosovës, tha Tahiri.

AI kërkoi nga Gërvalla që tu kërkoju fale qytetarëve sepse ajo gjykatë sipas Tahirit është bërë me fakte të rrejshme nga qeveria serbe.