FOTO: MPJD

Debat i ashpër mes Gërvallës dhe Daçiqit në mbledhjen e KS të OKB-së

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, gjatë debatit në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ai tha se Serbia është dakorduar vetëm verbalisht.

Daçiq tha se Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe se nuk do ta konsiderojë shtet.

“Nuk e konsiderojmë shtet Kosovën. Secili shtet e ka “Kosovën e vet”, për këtë arsye secili shtet po çuditet se si duhet t’i qasemi këtij problemi. Ne mendojmë se Kosova është Serbi. Ju nuk pajtoheni. A duhet të fillojmë luftën? Duhet t’u rikujtojmë të gjithëve se Vuçiq nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje. Ne verbalisht jemi pajtuar për diçka. Escobar thotë se Asociacioni duhet të bëhet me ose pa Kurtin. Ne nuk dëshirojmë që dikush të mos i përmbush obligimet e veta e të shpërblehet për mospërmbushje të tyre”- tha ai.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ), Donika Gërvalla, reagoi ndaj këtyre deklaratave duke thënë se Serbia nuk po mund të pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur. Ajo e quajti Daçiqin “Sllobodan i vogël”.

“Ju me deklarimet tuaja vetëm sa e treguat që pse njërëzit në Serbi ju kanë quajtur “Slloba i vogël”, “Sllobodani i vogël”. E kuptoj që jeni i zemëruar dhe këtë gjuhë të juajen e njoh që moti. Ju duhet t’u tregoni qytetarëve tuaj se e keni humbur Kosovën në vitin 1999…”- tha ajo ndër të tjera.

Ivica Daçiq e akuzoi Gërvallën se ka mbledhur fakte nga familje të viktimave kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit për të cilët ka nisur gjykimi në Gjykatën Speciale.

“Para 10 vitesh unë kam nënshkruar marrëveshje me Hashim Thaçin. Ku është ai sot? Pse unë s’jam akuzuar apo presidenti Vuçiq pasi që jemi konsideruar përgjegjës për diçka, ndërsa ju keni ndihmuar që të akuzohet Thaçi dhe Kadri Veseli për krime. Me dëshmitë që keni mbledhur nga familjarët e viktimave, ju kanë dalë në ndihmë viktimat e krimet të kryera nga ana e Thaçit dhe Veselit” – deklaroi ai.

Këtë e ka mohuar Gërvalla duke thënë se beson në pafajësinë e Thaçit dhe Veselit.

“Unë besoj fuqishëm se ai do të dëshmojë se ai vetë dhe të tjerët kanë çdo argument në anën e tyre se janë të pafajshëm dhe nuk ia vlen asnjë koment lidhur me atë çfarë thoni, qoftë për ndërlidhjen time me Hagë kjo është plotësisht e pavërtetë”- deklaroi ajo.

“Për dallim nga Serbia ju folët për Gjykatën Speciale e cila është themeluar nga Parlamenti i Kosovës dhe jo nga Serbia. Ka qenë një vendim i pavarur. Lidhur më këtë është më rëndësi të njohim veprat heroike të Kosovës që kanë shpëtuar jetë nga makineria Serbia, që keni qenë pjesë ju. Ishte pala juaj që dogji shtëpi, vrau burra, gra, foshnje dhe madje e festoi këtë. Ky gjenocid është festuar dhe ju keni qenë në mesin e tyre. Njeriu nuk mund të bjerë më poshtë se kaq. Populli i Kosovës mbronte shtëpitë e veta. Forcat serbe ishin forcat terroriste”- vazhdoi ajo.

Gërvalla përfaqëson Kosovën në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së