Debat i ashpër Bulliqi - Rudari

Në debatin e sontëm në “Debat Pernime” kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës treguan se si do të qeverisin në dy vitet e ardhshme deri në zgjedhjet e reja komunale.

Në këtë debat një debat i ashpër nisi mes dy kandidatëve atij të LDK-së dhe LVV-së.

Nexhmi Rudari kandidat nga LDK, akuzoi për uzurpim kandidatin e LVV- së Shpejtim Bulliqi.

“Po më quan Bulliqi gënjeshtar dua ta pyes së a ka gënjyer në një debat kur ka thënë që nuk e ka ndërtuar shtëpinë në pronën e uzurpuar apo po gënjen sot që thotë jetoj në Podujevë. Kam provën ku drejtoria e kadastrit e ka shpall uzurpator qysh në vitin 2017.E kam ankesën e Bulliqit kundër aktvendimit dhe e  kam vendimin e administratës për pronë që thotë z. Bulliqi është uzurpator”, ishin akuzat e Rudarit.

Shpejtim Bulliqi i ktheu Rudarit se është servil dhe kukull e ish- kryetarit Agim Veliu.

“Ky është një servil, të cilin tash ish- kryetari po don me lanë këtu sepse ka marak me lanë kësi kukulla se ky kësi është, ky kurrkujt nuk i ka kry punë. Po nuk është problem kjo çështje, unë po them që me punë e angazhim do të i zgjedhim këto probleme. Puna e shpisë unë e kam sqaruar dhe skam kohë të merrem me këtë temë, janë organet për këtë punë nuk është ky për këto çështje”, tha Bulliqi.

Rudari replikoi duke thënë se vendimet tregojnë për uzurpim.

“Aktvendimi i agjencionit ju  ka lënë uzurpator e ju keni thënë që shtëpia nuk është e imja e unë kam edhe dokumentin tjetër që tregon se shtëpia e juaj nuk është e paraardhësve tuaj e jo ashtu sic keni deklaruar ju”, deklaroi Rudari.

Pas akuzave të Rudarit, Bulliqi shpalosi disa fotografi për të cilat pretendoi se janë uzurpime të LDK-së në Podujevë.

“Sa për ilustrim dua të ja jap këtë foto Rudarit, kjo është afër komunës dhe e ka të uzurpuar pronën publike, edhe kjo pjesa tjetër që e ka uzurpuar komplet parkun e qytetit me ndërtime të larta, qata që po ua financojnë fushatën e kanë uzurpuar”, shtoi Bulliqi.

Rudari iu kundërpërgjigj Bulliqit duke i thënë se është kandidat për kryetar dhe ka bërë uzurpime.

“Si mund të i bindni qytetarët që një kandidat për kryetar është uzurpator”, shtoi Rudari.

Moderatorja Jeta Xharra kërkoi sqarime nga Rudari në lidhje me pretendimet e Bulliqit se pronarët e disa objekteve që kanë uzurpuar prona të komunës janë donatorë të LDK-së në Podujevë.

“Unë nuk di kush e ka uzurpuar por pronari i  asaj ndërtese nuk është kandidat për kryetar ky po pretendon që të bëhet kryetar i komunës dhe pa qenë kryetar ka uzurpuar po nesër mu bo kryetar i komunës? Unë nuk e di që pronari i ndërtesës është donator i LDK-së”, shtoi Rudari.

Debati i sotëm në Podujevë me kandidatët për kryetar në këto zgjedhje të jashtëzakonshme po mbahet pa publik.

Kjo pasi që Qeveria e Kosovës pak para fillimit të debatit mori vendim që aktivitetet publike dhe jo publike të mbahen të mbyllura pa praninë e publikut.

Sonte në “Debat Pernime” janë prezent tre kandidatët për kryetar të Komunës së Podujevës, Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës po mbahen për shkak të ndërrimit të pozitës së kryetarit të kaluar Agim Veliu.

I njëjti në qeverinë e re është pozicionuar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës mbahen ditën e diel më saktë më 15 mars.