Daut Haradinaj then masat anti-COVID, mbledhi e madhe për fundvit në Deçan

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj ka organizuar një drekë të fundvitit me disa familje të Deçanit, edhe pse Qeveria e Kosovës ditë më parë e kishte ndaluar organizimin e darkave/drekave të fundvitit si pjesë të masave kundër COVID-19.

Haradinaj megjithatë përmes një postimi në Facebook ka shpërndarë fotografitë e mbledhisë që sipas tij është takim tradicional me familje meritore të Deçanit.

“Sot vazhduam traditën shumëvjeçare në drekën e fundvitit me familjet më meritore të Deçanit. Familjet e dëshmorëve që i dhanë vendit tonë më të shtrenjtit, djemtë dhe vashat e tyre. Edhe pse pas shumë vitesh, emocionet mbesin të njëjtat kur ndodhem përballë tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Përveç kësaj në fotografi shihet që personat pjesëmarrës nuk i respektojnë masat tjera siç është distanca fizike dhe mbajtja e maskës.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë të ditur se Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për ndalimin e ndejave për festat e fundvitit që zakonisht organizohen nga institucionet.

“Të gjitha institucionet publike të ndalojnë çfarëdo organizimi për fundvit që i bëjnë zakonisht për punonjësit e institucioneve. Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme do të përgatisin urdhëresën për këtë qëllim”, kishte shkruar Hoti.

Hoti urdhëron ndaljen e organizimit të darkave të fundvitit