Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daut Haradinaj shpjegon pse e privatizuan tokën për 3.75 euro arin

Daut Haradinaj i AAK-së në ‘Kallxo Pernime’ ka folur në lidhje me pronat e privatizuara nga vëllai i tij, Ramush Haradinaj, në fshatin Gllogjan.

Në deklarimin e pasurisë së Ramush Haradinajt figuronte një pronë prej 200 hektarëve, e privatizuar për 75 mijë euro.

Haradinaj tha se ajo tokë ka qenë historikisht e familjes së tij dhe pjesës tjetër të fshatit.

“Ajo tokë ka qenë historikisht e jona, e baballarëve, babai im aty e ka livru atë tokë dhe e ka mbjellë. Serbia ia ka marrë me dhunë. Nuk është pronë vetëm e Haradinajve, sepse ne jemi  shtëpi pak më e madhe, por është e fshatit Gllogjan. Nëse nuk gaboj, mbi 70% e bashkëvendasve të mi kanë hise në këtë pronë. Ajo pronë është dalë në shitje e në stërshitje edhe nuk e ka ble kurrkush, historikisht është ditë që është pronë e Gllogjanit, pronë e Haradinajve. Siç duket Haradinajt si shtëpi më e madhe kanë hise më shumë”, tha Haradinaj.

Ai pretendoi se ajo pronë nuk është për të bërë biznes, por që do t’u kthehet banorëve, që sipas tij, i është marrë padrejtësisht.

“Logjika e shëndoshë kish me thonë që me shku në gjyq edhe me e fitu me gjyq, që ata mos me e ble me asnjë cent, se është pronë e tyre, i është marrë dhunshëm. Janë shkatërru shtëpi dhe janë dëbu banorët prej aty”, tha ai.

“Për besë, dy tre muaj nuk i ka, krejt fshatin e kemi mbledh i kemi thanë: Thirrni ata burra pak më të vjetër që janë, sepse unë nuk du as mu përzi në atë punë, as Ramushi. I kemi thonë gjeni ndonjë formë, ku i keni pas ato mexha, se ata të vjetrit i dijnë, unë jo”.

Ndërsa në lidhje me shtëpinë e tij në lagjen “Marigona”, Haradinaj deklaroi se atë e ka blerë përmes kredisë dhe shitjes së një toke.

“Çfarëdo pyetje që ki për këtë temë, t’më kishe tregu më herët, unë ta kisha sjellë transkripten e ‘Raiffeisen Banka, cent më cent se qysh janë pagu. Të gjitha janë kry. Unë e kam marrë një pllac para se me hy në burg, 10 ari, ai pllac është shitur, kry për kry është pagu shtëpia, i kam pasë kredi rreth 100 mijë euro, i kam pagu, tash jam plus. Çdo gjë që e kam bo, nuk është jashtë procedurave të rregullta”, tha Haradinaj.