Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daut Haradinaj: Në PDK nuk ka vendimmarrje, disa në Shkodër e disa në Shkup

Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, në “Kallxo Pernime” ka komentuar deklaratat e Ramush Haradinajt që ditë më parë tha se nuk do t’ia kthejnë PDK-së “sulmet” që po ia bëjnë AAK-së.

“PDK po më nguc, ama unë nuk po i nguci, masi s’i kanë burrat kah shpija”, kishte thënë Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Këtë deklaratë sonte në “Kallxo Pernime” e ka komentuar Daut Haradinaj.

“Te PDK po më duket se janë bërë dy parti të ndryshme. Nuk i kanë qëndrimet e njëjta. Nuk e di pse merren me AAK, por ne nuk jemi të interesuar të hapim debat të ashpër, për shkak të situatës çfarë e kanë. Më së miri do të ju përgjigjen qytetarët me 14 shkurt”, tha Haradinaj.

“Dihet që në PDK nuk ka vendimmarrje, se po të kishte vendimmarrje nuk kishin shku njëri në Shkodër e tjetri në PDK”, tha Haradinaj.

Ai tha se AAK është çuditur me deklaratat e Enver Hoxhajt që Ramush Haradinaj e ka prishë Kosovën me Amerikën.

“Pak jemi çuditë me ato deklaratat famoze, që Ramushi e Albini na prishën me Amerikën. Ata kanë qenë pjesë të Qeverisë në atë kohë, kur e kemi bërë ushtrinë. Nashta ju ka prishë matematikat z.Hoxhaj, por nuk dimë”, tha Hardinaj.

Sipas tij, njerëzit në PDK kanë filluar të ndihen shefa, pasi që Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk janë në Kosovë.

“Ne kemi raporte të shëndosha 1 me 1. Shpresoj që do ta menaxhojnë situatën e re çfarë e kanë. Mos të hinë shumë në ekstazë tash pas largimit të Hashim Thaçit e Kadri Veselit, se po ju doket vetja shumë shefa”, tha në mes tjerash Daut Haradinaj.

Sipas tij, udhëheqësit e PDK-së janë padrejtësisht në Hagë, por thotë se ka qenë PDK ajo që e ka votuar Gjykatën Speciale.