Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daut Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e deputetit

Deputeti i zgjedhur nga AAK, Daut Haradinaj, ka bërë të ditur se ka dhënë dorëheqje nga ky post, për t’ia liruar vendin kandidatit, Shemsedin Dreshaj si dhe për t’u angazhuar për zgjedhjet komunale.

Këtë Haradinaj e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, votues të AAK-së!  Dëshiroj të ju falënderoj për besimin e dhënë tash e sa mandate, besim të cilin jam munduar ta kryej me nder duke qenë zëri juaj në Kuvend. Tash ne rrethanat e reja që jemi, do heqë dorë nga ky mandat për t’i krijuar hapësirë Prof.Dr Shemsedin Dreshajt të jetë deputet”, tha Haradinaj.

Sipas tij, këtë po e bën edhe për të pasur mundësi kohore që të jetë më prezent nëpër komuna për zgjedhjet komunale që do të mbahen në vjeshtë.

“Po ma kërkon struktura angazhimin në terren dhe nuk dua t’a bëj punën në terren në dëm të mandatit të popullit. Kolegëve të mi ju dëshiroj suksese në këtë legjislaturë. Do jemi shumë më të konsoliduar dhe më të përgatitur këtë vjeshtë. Fituesit të këtyre zgjedhjeve ju uroj suksese”, ka thënë në fund Haradinaj.

Haradinaj në zgjedhjet e 14 shkurtit ka marrë 13,769 vota pas liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Sot, AAK ka mbajtur edhe një mbledhje me kryesinë e saj.

Nitaj: I takon LVV-së që të gjejë formulën për krijimin e institucioneve

.