Daut Haradinaj: Falja e gjobave do të ishte infuzion i mirë për gastronomët e goditur nga pandemia

Kandidati për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka përgëzuar shefin e grupi parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirin, për iniciativën për amnisti fiskale për të gjithë gastronomët që u ndëshkuan nga organet përgjegjëse që nga periudha e shfaqjes së pandemisë.

“E përgëzova kryetarin e Grupit Parlamentar të AAK-së, për shtytjen e iniciativës së tij për amnisti fiskale për të gjithë gastronomët që u ndëshkuan nga organet përgjegjëse që nga periudha e shfaqjes së pandemisë”, ka shkruar Haradinaj.

Ai po ashtu tha se sektori i gastronomisë u godit më së shumti gjatë kësaj periudhe.

“Sektori i gastronomisë edhe ashtu konsiderohet që u godit më së shumti gjatë kësaj periudhe. Falja e këtyre gjobave është infuzion i mirë për gastronomët e goditur”, tregoi ai.

Tahiri në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se mbyllja 12-ditore ka shkaktuar humbje me miliona dhe kërkoi faljen e borxheve të bizneseve të dënuara në pandemi.

Besnik Tahiri dhe Arben Vitia me mospajtime për vaksinat dhe faljen e borxheve të bizneseve