Prapa grilave - Ilustrim

DASH: Ka pretendime të vazhdueshme se policët dhe personeli i Shërbimit Korrektues keqtrajtojnë të paraburgosurit

Në raportin e përvitshëm, Departamenti Amerikan i Shtetit ka theksuar se ka pretendime të vazhdueshme nga të paraburgosurit se këta të fundit keqtrajtohen nga policët e Kosovës e nga personeli i Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Madje, në këtë raport tregohet se deri në korrik të 2021-ës, Institucioni i Avokatit të Popullit ka raportuar se janë gjithsej 12 ankesa të regjistruara për keqtrajtim.

Shtatë nga këto ankesa thuhet se janë kundër Policisë dhe pesë kundër Shërbimit Korrektues.

“Ankesat kundër Shërbimit Korrektues përfshinë një për keqtrajtim, tre për kujdesin shëndetësor dhe një për kushte çnjerëzore të jetesës”, thuhet në raportin e DASH.

Zbulimi i ndonjë dëshmie të besueshme të torturës nga forcat e sigurisë nuk ishte bërë nga Mekanizmi Kombëtar Parandalues kundër Torturës, i cili funksionon në kuadër të Institucionit të Avokatit të Shtetit.

Ky Mekanizëm ka raportuar se janë kryer gjithsej 31 vizita në të gjitha vendet e privimit të lirisë, ku përfshihen burgje, qendra të paraburgimit, ambiente psikiatrike, shtëpitë e përkujdesit social, qendrat e pritjes së azilit e të tjera, por këto vizita thuhet se nuk kanë rezultuar në zbulimin e ndonjë dëshmie.

Një ndër institucionet e shumta që përmendet nga DASH në këtë raport për Kosovën është edhe Qeveria.

Sipas tyre, Qeveria ndonjëherë ka hetuar abuzimin, por mekanizmat që janë përdorur për të kryer hetime të tilla, sipas DASH, nuk kanë qenë gjithmonë efektive ose kanë qenë subjekt i ndërhyrjeve politike.

DASH po ashtu ka përmendur disa nga rastet kur zyrtarët policor kanë përdorur forcë të tepruar gjatë arrestimit të të dyshuarave.

Një nga rastet që është përmendur është ai i qershorit të vitit 2019 ku katër zyrtarë nga njësia speciale e policisë ishin arrestuar për përdorim të forcës së tepruar.

Një rast tjetër po thuajse i ngjashëm është arrestimi i tre policëve në Prishtinë.

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një video kishte zbuluar se këta policë gjatë një arrestimi kishin përdorur forcë të tepruar.

Vetëm shtatë muaj pas këtij rast, për një vepër të njëjtë ishte arrestuar nga IPK një polic në Ferizaj.

Ai përveçse dyshohej se kishte përdorur forcë të tepruar, dyshohej edhe se kishte mbajtur në paraburgim më shumë se 48 orë të arrestuarin.

Një rast i një polici që dyshohej se kishte sulmuar seksualisht një të mitur kishte kaluar edhe në Gjykatën Themelore të Gjilanit.

Kjo gjykatë kishte vendosur që të dënonte me gjashtë vite burgim policin në fjalë.

Në raportin e DASH janë dhënë disa statistika që kanë përshkruar punën e IPK-së.

Sipas këtij raporti, deri në nëntor, IPK kishte pranuar 1 mijë e 862 ankesa, 617 prej të cilave thuhet se ishin dërguar për hetim penal.

Tutje tregohet se ankesat ishin kryesisht për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, keqpërdorim të detyrës zyrtare, lëndim trupor, kanosje dhe dhunë në familje.

IPK po ashtu raportoi se 158 policë ishin nën hetim, 78 ishin suspenduar dhe 31 ishin arrestuar.

Krejt në fund është thënë se Inspektorati ka përcjellë 91 nga ankesat për ndjekje penale; pjesa tjetër e rasteve mbeti nën hetim.

Raportin e plotë të Departamentit Amerikan të Shtetit mund ta gjeni KËTU.