Darka në errësirë në qytetin e dritës (VIDEO)

Në Obiliq prodhohet energjia elektrike për gjithë vendin. Por, të premten mbrëma një darkë u shtrua në terr.

“Darka e errët” mblodhi persona me aftësi të kufizuara nga gjithë Kosova për 3 dhjetorin – Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara që shënohet në gjithë botën.

Darka u organizua nga organizata joqeveritare “You Can Do” ndërsa të pranishmit diskutuan për hallet e tyre. Organizatorët treguan për simbolikën e kësaj darke.

“Kemi mendu me i sfidu personat me zhvillim tipik qysh është me qenë në lëkurën tonë ose në këpucët tona. Mënyra më e mirë për me përjetu ata se si ndihemi ne dhe qysh jetojmë dhe qysh funksionojmë, është me i pasë kushtet e njëjta sikurse ne” – thotë Mimoza Zejnullahu.

“Ideja ke me i fikë dritat dhe ata me provu me u gjetë edhe me pa sa vështirë është…” – thotë ajo.

“Simbolika është e verbërisë… Ky është improvizim sepse edhe nëpër Evropë e nëpër botë organizohen darkat e errëta… që të bashkëndjejnë me ne” – thotë Betim Bregovina nga OJQ “You can do”.

Personat me aftësi të kufizuara në Kosovë përballen me shumë telashe që nga fëmijëria. Derisa kushtet për arsimim nuk ofrohen nga institucionet në masën e duhur, qytetarët e kësaj kategorie edhe pasi të shkollohen kanë problem të gjejnë vende pune.

Betim Bregovina është një i ri nga komuna e Obiliqit. Ai ka përfunduar dy fakultete dhe një master ndërsa prej vitesh nuk ka arritur të gjejë një punë ani se aplikoi në dhjetëra konkurse në institucionet publike.

Jetën e një personi me aftësi të kufizuara në Kosovë, Betimi e përshkruan me një krahasim interesant.

“Askujt nuk i pëlqen mos me qenë mirë ose me pas një mungesë apo një pengesë, por te ne për shkak të mosnjohjes, mospërgatitjes, nivelit të ulët të emancipimit, njerëzit nuk e dinë që nuk është fundi i botës me qenë i verbër ose me qenë shurdhmemec, mos me pasë një gjymtyrë…” – thotë Betim Bregovina.

“Po ia dalim sikur lepuri me zagarë… kur qentë e gjuetisë lëshohen me zënë lepurin dhe gjuetari e ka, mundohet me marrë shënjestër me pushkë gjuetie… edhe ne kështu jemi aktualisht” – thotë ai.

Edhe Mimoza Zejnullahu, nga Vitia, numëron problemet e personave me aftësi të kufizuara me të cilat përballen çdo ditë në vend. Por, ajo thotë se personat me aftësi të kufizuara nuk duhet asnjëherë të dorëzohen.

Ajo thotë se përmes organizimit të “Darkës së errët” synojnë që të ndikojnë tek organet shtetërore që të bëjnë më tepër për personat me aftësi të kufizuara.

“Ne nuk pretendojmë që kjo darkë e errët të ndryshojë 100 për qind situatën… por ne e kemi qitë një gur vitin e kaluar, sivjet një, gur-gur bëhet mur” – thotë ajo.