Darka elektorale me mish e alkool e Bekë Berishës, merr obligime për punësimin e të pranishmëve

Gara për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit tashmë ka mobilizuar strukturat e të gjitha partive politike.

Nën shoqërimin e mishit, birrave dhe verës, ish- deputeti i AAK-së nga komuna e Istogut ka mbledhur mbrëmë simpatizantët e tij e të partisë në një restorant dhe u ka folur për punësim dhe të ardhme.

Në fotografitë dhe videot e publikuara në Facebook, Bekë Berisha shihet së bashku me të rinjtë duke darkuar në një restorant.

Madje, kandidati për deputet i AK-së, u ka premtuar të gjithë atyre aty se do t’i punësojë nëse i merr votat ai dhe partia në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Unë marr obligim për secilin për juve, edhe për punësim edhe për jetë më të mirë edhe për gjithçka. Nëse kemi mujtë prej një pozicioni të vështirë me i pru 15 milionë (investime në Istog), dhe me i kry krejt këto punë që s’ka mujtë kurrkush, lirisht e marrim obligim, edhe me dy deputetët tjerë, Donikën e Ganiun, për me ju punësu tanve juve qitu, se e meritoni”, ka thënë para të rinjve Bekë Berisha.

KALLXO.com ka raportuar edhe në të kaluarën për drekat në kohë fushate.

Kohë më parë, ish- kryetari i Skenderajt dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli shtruan një ‘gosti’ për simpatizantët me birra dhe red-bulla.

Kadri Veseli e Sami Lushtaku i qerasin simpatizantët me Red-Bull e Birra

www.kallxo.com