Dardanët zhvillojnë stërvitjen e fundit para sfidës kundër Suedisë

Kombëtarja e Kosovës në futboll sot ka zhvilluar stërvitjen e fundit para nisjes për shtetin e Suedisë, ku të shtunën pritet të ketë një sfidë mjaftë të vështirë kundër nikoqirëve.

‘’Seanca stërvitore u zhvillua në kompleksin e FFK-së, në Hajvali, nën reshjet e shiut dhe motit të ftohtë. Për dallim nga stërvitjet e ditëve të kaluara, kësaj radhe intensiteti ishte më i vogël dhe kryesisht përzgjedhësi Bernard Challandes dhe stafi i tij u përqendruan në ushtrimin e disa skemave të lojës, si dhe në tranzicion të lojës nga mbrojtja në sulm’’, thuhet në komunikatën e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Pjesë e kampit të Dardanëve ishte edhe Bersant Celina që iu bashkua pjesës tjetër të ekipit.

Pas kësaj stërvitje pati deklarime edhe nga futbollistët, Milot Rashica dhe Fidal Aliti.

Rashica është shprehur se shpreson që Kosova do të ketë paraqitje të mirë sikurse në ndeshjet e muajit shtator.

‘’Duke pasur parasysh lojën e mirë kundër Spanjës, ku përveç rezultatit negativ, kemi krijuar shumë raste, shpresoj se në këtë ndeshje do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrën më të mirë rastet që na jepen dhe do t’i gëzojmë tifozët tanë”, ka thënë Rashica.

Ndërsa Aliti është shprehur se beson se secili prej lojtarëve është 100 % i gatshëm.

‘’Ka qenë një kohë e gjatë që nuk kemi luajtur para tifozëve tonë dhe normalisht se çdo herë ndjehemi krenar kur luajmë para tyre. Një falënderim i madh shkon për ata, ngase vazhdimisht na përkrahin kudo që shkojmë. Njëjtë do të jetë edhe në Suedi dhe besoj se edhe ne do t’ua bëjmë një dhuratë me rezultat pozitiv”, u shpreh Aliti.