Dardan Molliqaj merr përgjegjësinë për shuplakën ndaj policit: Nuk ishte goditje, shtyerje

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se i takon atij që ta marrë përgjegjësinë në lidhje me incidentin gjatë protestës së djeshme, në të cilën shihet Molliqaj duke e goditur një polic me shuplakë.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Molliqaj ka thënë se ndjen keqardhje për këtë dhe se duhej të ishte përmbajtur.

Ai thotë se në kohën kur dy komandantë të Policisë e kishin ftuar që të diskutojnë, të tjerë policë në të njejtën kohë e kanë shtyrë, tërhequr zvarrë e sipas tij, sharë dhe ofenduar. Ndërsa ka thënë se këtë sqarim nuk do që të kuptohet si arsyetim.

“Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim”, ka shkruar Molliqaj.

Tutje, ai thotë se PSD-ja nuk e ka dhunën si mjet e as qëllim. Molliqaj ka thënë se  propaganda po synon që ta kriminalizojë, sipas tij, një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar.

“Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit”, ka shkruar në fund Molliqaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka goditur me shuplakë një polic në protestën e organizuar kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Gjatë protestës, kordoni i Policisë së Kosovës u thye nga protestuesit, ndërkaq në pamje është parë Dardan Molliqaj duke goditur me shuplakë njërin nga zyrtarët policor.

Ndërsa Policia ka thënë se  4 zyrtarë policorë janë sulmuar gjatë protestës së djeshme të organizuar nga PSD kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

VIDEO – Momenti kur Dardan Molliqaj godet me shuplakë policin në protestë