Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dardan Molliqaj i bën thirrje opozitës që të mos marrë pjesë nesër në seancën e jashtëzakonshme

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka konsideruar se qëllimet e Qeverisë së Kosovës nuk janë aspiratat e qytetarëve të vendit dhe se koncensusi politik, sipas tij, i shërben vetë kryeministrit.

Ai u ka bërë thirrje opozitës që të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri Kurti, në lidhje me referendumin e Serbisë.

“Nevojat e Kurtit nuk janë edhe nevojat e shtetit të Kosovës. Qëllimet e Qeverisë nuk janë edhe aspiratat e qytetarëve të vendit. Ndërsa, koncensusi politik i shërben vetëm metodave perfide të Kryeministrit. Ai ka nevojë për një opozitë që i rri gatitur”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Tutje, ai ka thënë se gabimet e partive opozitare, siç i ka quajtur ai, nuk guxojnë të përcaktojnë e as shantazhojnë rrugëtimin e subjekteve politike.

“Mendësia e “mëkatit fillestar” duhet ndërprerë. Kjo logjikë merr pengje. Veprimi i lirë është jashtë koordinatave të vendosura nga pushteti obstruksionist. Skenaret e Kurtit e defaktorizojnë opozitën dhe e ngulfasin të ardhmen”, ka shkruar në fund Molliqaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që të nxjerrë një rezolutë të  përbashkët, në të cilën do të shprehet vullneti politik i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në lidhje me mbajtjen e referendumit të Serbisë, në Kosovë.

Siç ka njoftuar Qeveria, kryeministri Kurti i është drejtuar zyrtarisht Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që nesër me 15 janar 2022 në ora 14:00, të caktohet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.