Dardan Molliqaj ftohet nga Policia lidhur me deklarimet e tij për rënien e Bllokut A3 dhe A5
Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj ka njoftuar se ka marrë ftesë nga Policia e Kosovës lidhur me deklarimet e tij për rëniet e Bllokut A3 dhe A5.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Molliqaj përmes faqes së tij në rrjetin social Facebook.
“Sot, kam pranuar ftesë nga Policia e Kosovës, gjegjësisht Departamenti për Krime dhe Korrupsion, për të dorëzuar dyshimet dhe pyetjet që i kemi ngritur në konferencë për media në lidhje me rënien e dyshimtë të Bllokut A3 dhe A5”, ka shkruajtur Molliqaj.
Ai ka ftuar të gjithë njohësit e energjisë elektrike, punëtorë të KEK-ut dhe qytetarët që kanë informata lidhur më këtë çështje t`i dërgojnë tek ai.
“Ftoj të gjithë njohësit e fushës së energjisë, secilin punëtor të KEK dhe KEDS dhe çdo qytetar që mund të ketë informata shtesë në lidhje me këtë çështje dhe çështje të tilla që t’i dorëzojë tek unë. Të gjitha informatat do të trajtohen në konfidencialitet të plotë. Nesër, gjatë ditës, gjetjet tona do t’i dorëzojmë në Polici”, ka thënë Molliqaj.
Molliqaj disa ditë më parë në një konferencë për media kishte thënë se rënia e Bllokut A3 dhe A5 ka qenë e qëllimshme.
Lidhur më këto deklarime kishte reaguar edhe Viktor Buzhala, zëdhënës në Korporatën Energjetike të Kosovës.