Dardan Krivaça e Arbër Sejdiu për herë të dytë në Gjykatën e Apelit, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit - VIDEO

Të akuzuarit, Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu për herën e dytë kanë dalë para Gjykatës së Apelit, lidhur me rastin e vrasjes së Marigona Osmanit, më 22.08.2021.

Në këtë seancë pritet që të prezantohen ankesat e palëve lidhur me Aktgjykimin dënues: “me burgim të përjetshëm” për Krivaçën dhe “dënimi prej 15 vjetësh burgim” për Arbër Sejdiun, të datës 29.07.2024.

Siç njoftoi kryetari i Kolegjit të Gjykatës së Apelit, Xhevdet Abazi, kjo seancë do të jetë e mbyllur për publikun dhe mediat për arsye të natyrës së rastit.

Kështu, publiku, mediat dhe monitoruesit janë obliguar të dalin nga Salla e Gjykimit.

Rasti i Dardan Krivaçës gjendet për herën e dytë në Gjykatë të Apelit. Herën e parë për Krivaçën Gjykata në Ferizaj kishte shqiptuar “dënim me burgim të përjetshëm” për “vrasje të rëndë në bashkëkryerje”, kurse Arbër Sejdiu ishte dënuar “me 15 vjet dënim me burgim” për “ndihmë në vrasje të rëndë”. Për veprën penale “dhunim dhe “ndihmë në dhunim” Krivaça e Sejdiu ishin liruar nga akuza me arsyen se nuk ishte provuar kryerja e veprës penale.

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu akuzohen për “vrasje të rëndë në bashkëkryerje”. Krivaça në Shkallë të Parë ishte dënuar me “burgim të përjetshëm” për “vrasjen e Marigona Osmanit”, kurse për “ndihmë në vrasje të rëndë” ishte dënuar me “15 vjet dënim me burgim” Arbër Sejdiut.

Në Aktakuzën e Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, tregohet se si kamerat e sigurisë që kanë qenë të vendosura në banesën e të pandehurit Krivaça ka bërë që Prokuroria të sigurojë prova të forta për netët para ngjarjes fatale e për mënyrën se si u organizua dhunimi. E më pas vrasjen e 18-vjeçares. Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë. Kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo. E njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh. Kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale.” – përshkruhet në Aktakuzë.

“Policia ka marrë DVR. E njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej 72 orë dhe atë nga data 19.08.2021, në ora 00:05 deri më 23.08.2021, në ora 00:18.” – përshkruan Aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në Aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19.08.2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë. Videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira. Këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vjen në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba. Në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera. Lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu. Në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin.” – shkruhet në Aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori, në Aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.

“Më 21.08.2021, në ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate derisa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë. Në ora 04:52 dalin nga banesa; 09:53 – i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë; 10:02 – i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston. Mirëpo, është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit; 10:48 – e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur. Ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orën 11:09. Kur dalin i pandehuri është zhveshur dhe të ndjerën e nxjerr me dhunë nga banja dhe e dërgon në dhomën e gjumit; 13:43 – i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë, e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57.” – përshkruhet në Aktakuzë.

Raportimet e KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë LINK.