"Danimarka humbi por fitoi jeta"

Siç thuhej edhe në titullin e një gazetë daneze pas përfundimit të ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës, të cilën danezët e humbën – “Danimarka humbi por fitoi jeta”.

Në fund të një nate emocionesh të mëdha në Kopenhagë, pati një lehtësim, raporton BBC.

Lehtësimi ishte që Christian Eriksen, i cili u ra në fushë pa ndjenja pak para përfundimit të pjesës së parë në ndeshjen hapëse të Danimarkës në Euro 2020 kundër Finlandës, ishte zgjuar dhe në gjendje të qëndrueshme në spital.

Dhe lehtësim ishte gjithashtu, që ata që ishin përreth tij vepruan me shpejtësi. Shpejtësi që mund t’i ketë shpëtuar jetën lojtarit të Interit.

Kardiologu sportiv, Sanjay Sharma, i cili është kryetar i Panelit të ekspertëve të kardiologjisë për Shoqatën e Futbollit, i tha BBC-së se “gjëja që i shpëtoi jetën ishte vëmendja shumë urgjente dhe e shpejtë mjekësore”.

Mjeku i ekipit nga Danimarka, Martin Boesen foli në një konferencë shtypi pas ndeshjes dhe shpjegoi se si ndodhën ngjarjet.

“Ishte e qartë se ai ishte pa ndjenja”, tha ai.

“Kur shkova tek ai, ai ishte në krah, po merrte frymë, unë mund të ndjeja pulsin, por papritmas kjo ndryshoi dhe ne filluam t’i japim CPR.

“Ndihma erdhi me të vërtetë shumë shpejtë nga ekipi mjekësor dhe pjesa tjetër e stafit, ne bëmë atë që duhej të bënim dhe arritëm ta rikthenim Christian-in. Ai më foli para se të dërgohej në spital.”

Fabrice Muamba pësoi një arrest kardiak gjatë një loje për Bolton Wanderers në 2012. Ai u shërua por nuk luajti kurrë më.

“Ai më solli përsëri në mendje gjëra që unë i kam brenda meje, këtë emocion që është thellë brenda meje. Ta shikoj nga distanca dhe të mos e dijë se çfarë do të ndodhë”, i tha ai BBC Sport.

“Ishte e frikshme, por meritë për stafin mjekësor. Ata kanë bërë një punë të mrekullueshme për Christian. Më pëlqen se si shokët e tij të ekipit u mblodhën për ta mbrojtur atë. Kjo solli një emocion që nuk dëshironi ta shihni. Shpresoj që gjërat të jenë në rregull për të. Shpresoj se ai do t’ia dalë”.