Danimarka e hoqi nga përdorimi vaksinën ‘Astra Zeneca’, ia ofroi Kosovës 250 mijë vaksina të tilla

Shteti i Danimarkës ka shprehur gatishmërinë t’i dhurojë Kosovës 250 mijë vaksina “Astra Zeneca” edhe pse në muajin prill ky shtet pati refuzuar të vaksinojë qytetarët e vetë me këtë lloj të vaksinës.

“Vendimi u mor për shkak të lidhjes së vaksinës me raste shumë të rralla të mpiksjes së gjakut”, pati thënë agjencia shëndetësore e Danimarkës.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kërkuar një përgjigje nga kabineti i ministrit Arben Vitia, nëse do të pranojnë këtë donacion.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur nëse do t’i pranojnë.

“Nuk mundemi me dhanë përgjigje ende”, i kanë thënë KALLXO.com nga kabineti i ministrit të Shëndetësisë.

Lajmin se Danimarka do të dhurojë vaksina falas për Kosovën e ka bërë të ditur ish ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Danimarka nuk e harron Kosovën. Edhe një lajm i mirë në betejën kundër pandemisë Covid-19. Danimarka shteti mik i Kosovës, dërgon 250,000 vaksina falas për qytetarët tanë. Faleminderit shumë. Mirënjohës përgjithmonë”, thuhet në postimin e Zemajt në facebook.

Katër muaj pas pranimit të kontingjentit të parë të vaksinave kundër COVID-19, Kosova ka pranuar dy kontingjentet e para të vaksinave nga kontrata e nënshkruar me kompaninë ‘Pfizer’. Më 28 qershor në vend arritën 81 mijë e 900 doza të vaksinës, ndërsa një ditë pas poashtu arriti edhe kontingjenti i dytë me 106 mijë e 470 vaksina.

Përveç Danimarkës katër ditë më parë Kosova poashtu ka pranuar 182 mijë e 900 vaksina nga shteti i Norvegjisë.

Në anën tjetër, fushata e imunizimit në Kosovë ka filluar më 29 mars 2021, fillimisht me 24 mijë dozat e para të dhuruar nga COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Përreth katër muaj në nivel vendi janë vaksinuar 205 mijë e 884 qytetarë prej tyre 49 mijë e 207 kanë marr edhe dozën e dytë të vaksinës kundër SARS-CoV-2.

Danimarka bëhet vendi i parë në Evropë që refuzon vaksinën ‘AstraZeneca’