Daniel Serwer

Daniel Serwer këshillon të shtyhet dialogu Kosovë- Serbi së paku deri në tetor

Udhëheqësi i programit për menaxhimin e konflikteve në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, Daniel Serwer, ka thënë se SHBA-të kanë braktisur politikën e mirëformuar në Ballkan dhe se tani e shohin Serbinë si partner më të mirë në Ballkan.

Serwer ishte pjesë e panelit diskutues për të ardhmen e Kosovës organizuar nga Instituti për të drejta të njeriut me liderë politikë nga Kosova dhe analistë amerikanë.

“Gjëja kyçe që duhet kuptuar është se Amerika ka braktisur politikën e saj të mirëformuar në Ballkan dhe në Kosovë në veçanti. Mesazhi im sot është thjesht se ‘ gjërat kanë ndryshuar’, administrata e Trump i ka errësuar këto arritje”, tha Serwer, i cili dikur ka shërbyer edhe si këshilltar i Presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Nuk shoh ndonjë përpjekje reale të kësaj administrate të bashkëpunojë me Europën, e ka vendosur dialogun Kosovë – Serbi në duart e një ambasadori në Gjermani që ka ofenduar qeverinë dhe ka folur kundër BE-së. Uashingtoni tani përkrah ndryshimin e kufijve për të akomoduar ndryshimet etnike, është më se e qartë se Serbia është partneri i preferuar i Uashingtonit në Ballkan”, u shpreh Serwer.

Sipas tij, ky ndryshim i madh ndodhi edhe për shkak të orientimit politik të administratës Trump dhe lobit serb në SHBA të cilët shihen si potencial më i madh zgjedhor dhe se Grenell do një marrëveshje para nëntorit.

“Këto ndryshime paraqesin një ndryshim të madh të politikës amerikane. Si ndodhi? Administrata Trump është etnikisht nacionaliste dhe kjo gjë mund t’i ketë pëlqyer? Pse nuk do i dëgjonte etnitë në Ballkan. Republikanët e dinë se serbo-amerikanët në Ohio janë shumë më të vlefshëm sesa shqiptaro- amerikanët në New York për votim”, shtoi ai.

Serwer tha se emisari amerikan për dialogun Kosovë –Serbi, ambasadori Richard Grenell, po përpiqet që “t’i jap kësajë administrate një marrëveshje para 3 nëntorit”, prandaj mbështetja e SHBA-ve për aspiratat e Kosovës është dobësuar.

“Kjo mund të shihet në ndërprerjen e fondeve dhe kërcënimi për tërheqje të trupave”, shtoi Serwer.

Tutje sipas Serwer, Kosova duhet të përpiqet që ta shtyjë sa më shumë fillimin e dialogut dhe të bëjë të mundur që edhe vende të tjera në BE e kundërshtojnë shkëmbimin e territoreve e jo vetëm zyra e kancelares Merkel.

“Ajo çfarë do duhej bërë do ishte një shtyrje. Kosova duhet të përpiqet që kundërshtimi i territoreve të mos vijë vetëm nga zyra e kancelares gjermane por edhe nga Bundestagu. Edhe shtete tjera ne BE përfshirë Spanjën kanë arsyet e tyre për ta kundërshtuar shkëmbimin e territoreve. Kosova duhet të ndjekë reciprocitetin”, tha ai.

“Shtyrja e dialogut është jetësore sepse Vuçiq e ka bërë të qartë që do presë deri pas zgjedhjeve për ndonjë marrëveshje me Kosovën, prandaj administrata do bëjë presion për marrëveshje para vjeshtës por korriku dhe gushti kur Evropa është në “gjumë” mund të jenë muaj krucialë. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar formimin e një qeverie të re pa zgjedhje të reja do ishte një vonesë e mirëseardhur,” tha Serwer.

Serwer për fund tha se Kosova nuk duhet të dalë hapur në përkrahje të Biden por që duhet të shpresojë që ai të fitojë ngaqë ai, sipas tij, e njeh mirë politikën në Ballkan.

“Më 1 tetor Kosova do jetë e sigurt nga ndarja nëse nuk është arritur më herët. Po të isha si Kosova nuk do dilja në përkrahje të Biden publikisht por do shpresoja që ai të fitojë sepse e njeh mirë Ballkanin,” përfundoi Serwer.