Daniel Serwer

Daniel Serwer: Aleksandar Vuçiq darkon shpesh me senatorin Chris Murphy

Eksperti amerikan për çështje të Ballkanit, Daniel Serwer ka komentuar vizitën e senatorit amerikan Chris Murphy në disa pjesë të Ballkanit, përfshirë këtu Prishtinën.

Serwer ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq shpesh herë darkon me senatorin Murphy kur Vuçiq viziton Uashingtonin.

“Vuçiq shpesh darkon me Murphy-n kur presidenti serb është në Uashington”, ka shkruar Serwer në Blogun e tij.

Sipas Serwer, është e vështirë që senatori Murphy të ketë të njëjtin afërmitet me kryeministrin Kurti.

“Do të ishte e vështirë për Murphy-n të kishte të njëjtin afërmitet me kryeministrin Kurti, i cili është ekuivalenti funksional i Vuçiqit në Kosovë. Kurtit nuk i është lejuar një vizitë zyrtare në Uashington që nga marrja e detyrës. Kjo për shkak se Uashingtoni e fajëson atë për mungesën e progresit në dialogun me Beogradin dhe senatori duket se pajtohet me këtë karakterizim”, shkruan Serwer.

Serwer ka thënë se nuk mendon njëjtë duke shtuar se e vetmja pengesë për arritjen e asaj që senatori e identifikon si objektivin kryesor të dialogut, që është njohja reciproke nga dy shtetet sovrane dhe të pavarura, është refuzimi i Serbisë për të shqyrtuar propozimin.

“Unë nuk mendoj njëjtë. E vetmja pengesë për arritjen e asaj që Senatori e identifikon si objektivin kryesor të dialogut, që është njohja reciproke nga dy shtetet sovrane dhe të pavarura, është refuzimi i Serbisë për të shqyrtuar propozimin. Dialogu do të ishte thjesht një bisedë normale mes fqinjëve, përveç kësaj”, ka deklaruar Serwer.

Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis qëndruan në Kosovë javën e kaluar.

Ata gjatë qëndrimit të tyre, kanë vizituar Kampin Bondsteel në Ferizaj, si dhe janë takuar edhe me kryeministrin Albin Kurti.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani janë duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku fillimisht morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së SHBA-së, Madeleine Albright.