Testimi i Ures së Badovcit/ Foto: KALLXO.com

Dalin rezultatet e testimit të urës së Badovcit

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, më 29.01.2025, konfirmoi se i kanë pranuar rezultatet e testimit të urës te Liqeni i Badovcit, testim ky i kryer më 09.01.2025 pas raportimit të KALLXO.com.

Ndonëse nuk janë bërë publike, zëvendësministri tha se rezultatet tregojnë se struktura e urës është stabile.

“Tani i kemi bërë edhe testimet sipas kontratës që i kemi pasë dhe rezultatet kanë dalë në rregull, pra ura është stabile dhe mos të krijohet një lloj konfuzioni se ne e kemi lëshuar urën dhe është rreziku dikush aty. Pra ura ka qene stabile në ditën që është leshu në qarkullim, është stabile edhe sot, pesha të rënda kalojnë aty dhe nuk ka pasur asnjë problem”- tha zëvendësministri Hysen Durmishi.

KALLXO.com më 07.01.2025 kishte raportuar ekskluzivisht se Ura e Badovcit ishte lëshuar për qarkullim pa u testuar.

Zëvendësministri Durmishi tha se ura u lëshua për qarkullim për shkak të fluksit të madh të mërgimtarëve të cilët kishin vendosur që festat e fundvitit t’i presin në Kosovë.

“Ura e Badovcit është lëshu në qarkullim për shkak të mërgimtarëve që kanë qenë të shumtë në atë kohë, për shkak se gjatë gjithë kohës së ndërtimit, janë bërë a-testet paraprake, është shqyrtuar çdo material që është përdorur aty dhe ky testimi final që ka qenë pjesë e kontratës, në fund është vetëm formal. Të gjithë inxhinierët e dinë se nëse ka pasur monitorim të përditshëm të zhvillimit të punimeve dhe rezultatet e betonit dhe armaturës kanë qenë të gjitha në rregull dhe janë zhvillu punimet sipas projektit, atëherë natyrisht që ura është stabile”- shtoi Durmishi.

Pas raportimit të KALLXO.com se testimi nuk ishte kryer dhe ura ishte lëshuar në qarkullim, Prokuroria e Prishtinës nisi hetimet.

Më 23.01.2025 Policia njoftoi se një person është intervistuar, teksa rasti është cilësuar si – mbikëqyrje e pandërgjegjshme e trafikut publik.

U lëshua në qarkullim pa u testuar, pas raportimit të KALLXO.com intervistohet një person për Urën e Badovcit

Teksa sipas Policisë një person është intervistuar, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe zëvendësi i tij, nuk janë në dijeni nëse për rastin është intervistuar edhe ndonjë zyrtar në Ministrinë e Infrastrukturës.

Ura që shtrihet në magjistralen Prishtinë – Gjilan ishte mbyllur në fund të muajit prill të vitit 2023. Më pas, më 17.05.2023, Ministria e Infrastrukturës kishte asfaltuar rrugën ndihmëse që shfrytëzohej si rrugë alternative, deri në përfundimin e urës.

Ndërsa në tetor të vitit 2023 kishin filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urës së re.

Kontrata “Ndërtimi i urës në rrugën nacionale N25.2, segmenti Prishtinë – Gjilan, lokacioni te Liqeni i Badovcit” ishte nënshkruar më 10.01.2024. Vlera e kontratës së nënshkruar me kompaninë fituese “Dreni Inginiering” ishte 468 mijë e 522 euro.

Testimi i urës ishte paraparë në aneks-kontratë dhe shtetit i kushtoi 6,000 euro.