Dalin rezultatet e testeve për mjekët në Viti, të gjithë negativë

Mjekët dhe stafi shëndetësor në Viti sot i ishin nënshtruar testimit për coronavirus pas kërkesës së tyre të vazhdueshme.

Andaj, sot edhe ka përfunduar drama 7 ditore me të cilën u përballen fronti i parë i luftës kundër pandemisë pasi i gjithë stafi i dyshuar kanë rezultuar negativ në testin që u është bërë atyre nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.

Lajmi është konfirmuar për KALLXO.com nga drejtorja e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Viti, Vjollca Kadolli.

Rreth 20 punonjës mjekë dhe infermierë të QKMF-së në Viti, të cilët me rekomandimin e ISHPK-së po qëndronin në karantinë prej të premtes së kaluar, kanë dalë të mos jenë të infektuar me coronavirus.

Këta të fundit dyshoheshin se janë infektuar nga një pacient nga Vitia me të cilin kishin kontakt fizik gjatë ekzaminimit të tij në emergjencë.

Deri tani në Kosovë 24 persona janë prekur me virusin corona.