Foto: KALLXO.com

Dalin para gjyqit të akuzuarit për vrasjen e kushëririt të tyre

Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, të akuzuar për vrasjen e Muhamet Ismajlit në fshatin Sadovinë e Çerkezëve dhe Ermond Ismajli, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, janë sjellë sot në Gjykatën e Gjilanit nën masa të rrepta të sigurisë.

Seanca e sotme filloi nën masa të rrepta të sigurisë për shkak të marrëdhënieve të acaruara në mes familjeve dhe për shkak të masave mbrojtëse ndaj sëmundjes COVID-19.

Në fillim të seancës, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arben Kadriu, të gjithë të akuzuarit deklaruan se nuk e pranojnë fajësinë pasi që nuk e ndienin veten fajtor për atë që i ngarkon aktakuza.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Besmir Ismajli, Samet Ismajli, Fisnik Ismajli, Ismet Ismajli dhe Izri Ismajli, në muajin maj të vitit 2019, në fshatin Sadovinë e Çerkezëve, komuna e Vitisë, kanë vrarë Muhamet Ismajlin.

Aktakuza thotë se pasi nuk kishin mundur të merreshin vesh kishte eskaluar situata dhe të akuzuarit me mjete të forta, si dru dhe shufra metalike, e godasin tani të ndjerin në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar vdekjen, si pasojë e thyerjes së kockave të kafkës.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, i akuzuari Ermond Ismajli të njëjtën ditë dhe në të njëjtin vend dhe për të njëjtat arsye (për shkak të një prone kontestuese), u ka shkaktuar lëndime trupore Ismet Ismajlit dhe Fisnik Ismajlit duke i goditur me lopatë, në pjesë të ndryshme të trupit.

Tutje në seancë duke dhënë fjalën hyrëse prokurori tha se aktakuza ka mbështetje të fortë në provat materiale.

“Të akuzuarit pasi janë përgatitur paraprakisht kanë shkuar te prona kontestuese dhe e kanë privuar nga jeta me qëllim tani të ndjerin Muhamet Ismajli. Konsideroj se deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet fajësia e të akuzuarve”, tha prokurori Kadriu.

Kurse përfaqësuesi i të dëmtuarve, avokati Besnik Berisha tha se dita kur ka ndodhur ngjarja ka lënë pasoja të pariparueshme për familjen e të ndjerit.

“Tragjedinë e  deshën të akuzuarit, do të provohet se këta të akuzuar veprimet për të privuar nga jeta tani të ndjerin Muhamet Ismajli i ndërmorën për shkak se besuan se do të pasuroheshin me një pronë që ishte kontestuese dhe subjekt i trajtimit të Gjykatës. Ata atë ditë erdhën me mjete të forta dhe të koordinuar qe të shkaktojnë tragjedinë për çka mbahet ky gjykim”, tha avokati Berisha.

Në vazhdim të seancës, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve e kundërshtuan aktakuzën, duke pretenduar se nuk bëhet fjalë për vrasje me qëllime pasurore që do ta kualifikonte si vrasje të rëndë.

Në seancë u dëgjua si dëshmitare Kimete Ismajli, gruaja e të ndjerit, e cila mes lotësh e dha versionin e saj të ngjarjes për ditën kritike ku kishte ndodhur vrasja (mbytja e të ndjerit me mjete të forta), siç pretendon Prokuroria.

Seanca e sotme u ndërpre për shkak të përfundimit të orarit të punës për të vazhduar nesër.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë çështje.