Dalin para gjykatës të akuzuarit për rrjet kriminal që veproi në rrethin e Pejës

Një varg veprimesh kriminale që kanë të bëjnë ndër tjerash me shitblerje të tokave përshkruhen në aktakuzën e Prokurorisë së Prishtinës.

Agron Kelmendi, Ramiz Muriqi dhe Qazim Muriqi po akuzohen për krim të organizuar që përfshijnë mashtrime e falsifikime të autorizimeve të ndryshme.

Këta të akuzuar dolën sot për herë të parë para gjykatës dhe thanë se ndihen plotësisht të pafajshëm.

Në bazë të dosjes së prokurorisë Agron Kelmendi ka themeluar, mbikqyrur, menaxhuar ose drejtuar veprimtaritë e një grupi të organizuar kriminal në bashkëkryerje me të pandehurit Ramiz Muriqi dhe Qazim Muriqi, në territorin e Komunës së Pejës, Deçanit, Gjakovës dhe në vende tjera.

Sipas prokurorisë, ata kanë  kryer vepra të rënda të mashtrimit, shkelje të besimit dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, si pjesë e një grupi të organizuar criminal dhe kanë qenë pjesëmarrës aktiv të aktiviteteve kriminale të këtij grupi .

Krime këto që sipas aktakuzës kishin të bëjnë kryesisht me mashtrimin e personave të tjerë me anë të një përfaqësimi të rremë apo duke fshehur fakte dhe me këtë rast janë detyruar këta persona në kryerje të veprimeve në dëm të pasurisë ose pronave të tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur autorizimet për përfaqësim në shitjen e parcelave të tokave me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, kanë falsifikuar dokumente që kanë të bëjnë me transaksionet e pasurive të patundshme me qëllim për t’i përdorur si dokumente të vërteta, kanë bërë uzurpimin e paligjshëm të pronave të paluajtshme.

Ata akuzohen po ashtu se kanë bërë legalizimin e autorizimeve mashtruese të dispozitave të pavërteta të kontratave të shitjes të dizajnuara që të shërbejnë si provë në çështje ligjore në regjistrat kadastral komunal duke mashtruar autoritet kompetente.

Seanca e shqyrtimit të dytë u caktua me 06.03.2020, në orën 10:00.