Dalin para gjykatës  të akuzuarit për përleshjen me thikë e kaçavidë në Gjilan

Ilaz Cakolli dhe Egzon Azemi kanë dalë sot para gjykatës në Gjilan për t’u përballur me akuzën e Prokurorisë për vrasje në tentativë

Në këtë rast ishin të akuzuar edhe Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi por në seancën e fundit ata e kishin pranuar fajësinë dhe ndaj tyre ishte veçuar procedura.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit Ilaz Cakolli dhe Egzon Azemi, në muajin nëntor të vitit 2018, në stacionin e autobusëve në Gjilan pas një mosmarrëveshje e kanë goditur me mjete të forta të dëmtuarin Mërgim Bllaca.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Ilaz Cakolli e kishte goditur viktimën dy herë me thikë në bel dhe shpinë, kurse i akuzuari Egzon Azemi e kishte goditur gjithashtu me kaçavidë dy herë në pjesën e përparme të gjoksit.

Tutje, sipas aktakuzës të akuzuarit Endrit Azemi, Erdonit Azemi, Elod Sahiti, Flamur Krasniqi dhe Blerim Kurteshi, të njëjtën ditë dhe të njëjtin vend i kanë sulmuar të dëmtuarit Faton Shaqiri, Edon Haliti, Edonis Shaqiri, Mërgim Bllaca dhe Riad Veseli, duke përdorur forcën dhe duke i goditur me shqelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Seanca e sotme u ndërpre pasi që pas veçimit ndaj dy të akuzuarve që nuk e pranuan fajësinë duhet të formohet lëndë e re.

“Sot nuk ka mundësi qe të vazhdojmë me shqyrtimin gjyqësor pasi që kjo lëndë për të akuzuarit Ilaz Cakolli dhe Egzon Azemi, do të veqohet dhe do të formohet lëndë e re me numer të ri”, tha në fund gjykatësi Zyhdi Haziri.

Përleshja me thikë e “shrafciger” te stacioni i autobusëve në Gjilan, dëshmitari tregon detajet e incidentit