Dalin pamjet para takimit të Hotit dhe Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë

Sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti së bashku me delegacionin e Kosovës, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë me palën serbe.

Në Twitter janë publikuar disa pamje në hyrje të Shtëpisë së Bardhë të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe Avdullah Hotit nga Këshilli për Siguri Kombëtare i ShBA-së.

Në fotografitë e publikuar është parë së të dy liderët janë pritur nga i dërguari special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para këtij takimi të dy liderët, Hoti dhe Vuçiq deklaruan se do të flasin për cështje ekonomike.

Hoti është shprehur pozitiv për këtë takim, kurse Vuçiq e ka quajtur të vështirë ballafaqimin e sotëm.

Hoti ndihet pozitiv para takimit me Serbinë, thotë se do të diskutohet për ekonomi

Vuçiq për takimin me delegacionin e Kosovës: Nuk do të jetë i lehtë

Ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Në fillim të këtij viti, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell kanë nënshkruar marrëveshjet apo letrat e interesit për linjën ajrore, atë hekurudhore dhe për autostrada ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por të cilat ende nuk kanë nisur së zbatuari.

Ky pajtim mes Kosovës dhe Serbisë është arritur në kohën kur dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ishte pezulluar për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik.