default

Dalibor Filipoviq është zgjedhur nënkryetar për komunitete në Kamenicë

Dalibor Filipoviq është zgjedhur nënkryetar për komunitete në Komunën e Kamenicës.

Në seancën e 28 prillit, e cila nuk ishte transmetuar live si herëve të tjera, Kuvendi Komunal i Kamenicës, me 10 vota për e ka zgjedhur Filipoviqin nënkryetar.

Në një përgjigje nga Komuna e Kamenicës, për KALLXO.com, thuhet se 7 këshilltarë komunal kanë qenë kundër dhe 5 kanë abstenuar në votim.

Tutje në përgjigje, zyra për media e Komunës së Kamenicës kanë dhënë arsyetimin përse mbledhja nuk është transmetuar live.

“Mbledhja është incizuar dhe në mungesë të pajisjes nuk është transmetuar live në Facebook. Por pas përfundimit të seancës mbledhja është publikuar në ueb-faqen e Komunës. Dhe meqenëse mbledhja ka vazhduar edhe dy ditë pas festës ajo është publikuar e ndarë”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu nga komuna kanë bërë të ditur se Filopoviq ka qenë kryetar i bashkësisë lokale të fshatit Hajnoc, fshat i cili ka banorë serb, dhe me profesion është jurist.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Komunat ku të paktën 10% e qytetarëve i përkasin komuniteteve jo shumicë do të kenë një nënkryetar për komunitete, i cili ka mandat me kohë zgjatje të njëjtë si të kryetarit.

“Emërimi dhe shkarkimi i Nënkryetarit për Komuniteteve propozohet nga Kryetari i Komunës dhe duhet të miratohet nga shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë si dhe shumica e anëtarëve të Kuvendit të Komunës që janë të pranishëm dhe votojnë të cilët i përkasin komuniteteve jo shumicë”, thuhet në ligj.

Komuna e Kamenicës, drejtohet nga Kadri Rahimaj nga Lëvizja Vetëvendosje.