Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Daka: Qe tri javë personaliteti im është bërë më i urryeri i këtij vendi

Një përplasje debati ka ndodhur mes kryetares së KQZ-se, Valdete Daka dhe anëtarit te KQZ-së nga Vetëvendosje Sami Kurteshi në mbledhjen e sotme te këtij institucioni.

Në pikën e rendit të ditës ku po diskutohej për pakot me fletëvotime me postë, Kurteshi kundërshtoi kohën e fundit kur duhet të mbërrijnë në Kosovë.

Ai tha se kjo është goditje nën brez për mërgatën.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se kjo çështje është miratuar dhe se ankesat mund të bëhen në PZAP.

Daka tha se goditje nën brez është fakti që sipas saj, vetë ajo është bërë personaliteti më i urryer në Kosovë.

“Qe 3 javë personaliteti im  është bërë personaliteti më i urryer i këtij vendi duke iu falënderuar disa personaliteteve të caktuara”, tha ajo.

Ndërkaq Kurteshi kërkoi nga Daka që të flas me emra.

“Kjo është rënie nën brez. Personalizimet nuk janë në rregull.  Nëse bëni sulme të tilla emra konkret, raste konkrete jepni”, tha ai.

Ne janar, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka thënë se akuzat e partive politike në adresë të KQZ-së dhe në adresën e saj personale, janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punën e institucionit, për ta pamundësuar zbatimin e Kushtetutës dhe Ligjeve në fuqi.