Daka: Prokuroria Speciale ka bërë hetim për disa vota të mërgatës

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Valdete Daka tha se Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë hetim për disa vota nga mërgata.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka bërë një hetim për disa vota nga diaspora. Dhe përderisa prokuroria nuk del me një njoftim, konsideroj që edhe unë nuk mund të dal në një njoftim, sepse nuk mund të përzihem në hetime që po bëhen”, tha ajo.

Këtë informacion, për të ditur edhe më shumë rreth tij, e ka kërkuar anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, në KQZ Sami Kurteshi, duke shtuar se dëshiron të di se çfarë hetime janë duke u kryer për votat nga jashtë për të cilat tha se nuk janë informuar.

“Cila është çështja që po hetohet me votat nga jashtë”, pyeti Kurteshi.

Daka tha se e ka urdhrin që iu është dorëzuar nga Prokuroria.

“Dhe prokuroria po ta gjente të arsyeshme, do ua kishte dorëzuar të gjithëve dhe do e kishte bërë publik atë urdhër. Ai urdhër përmban shënime personale të disa personave të dyshuar”, tha ajo.

Kurteshi gjithashtu shprehu interesim të di se për cilin subjekt janë duke u bërë hetimet, por që nuk morri përgjigje.

“Le të jetë edhe Vetëvendosje, por ne po kërkojmë të dimë saktësisht për çka është fjala. Nëse nuk na tregoni, kjo është fshehje e informatave”, tha ai.