Daka: Nuk e kam ndërmend të jap dorëheqje

Kryesuesja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka thënë që nuk do t`i nënshtrohet presionit të kandidatit të LVV-së për deputet, Haki Abazit, për të dhënë dorëheqje nga pozita që ka.

“Nuk e kam ndërmend të japë dorëheqje. Nuk e kam ndërmend t’i nënshtrohem presionit të Haki Abazit”, ka thënë Daka dje në një intervistë në T7.

Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Haki Abazi, i ka kërkuar kryesueses së KQZ-së Valdete Daka, të japë dorëheqje nga kjo pozitë.

Sipas Abazit, Daka dhe KQZ kishin lejuar më 2019 Kurtin dhe të tjerët të kandidojnë dhe nuk kishin interpretuar njësoj ligjin si në vitin 2021.

“Deklarata e Valdete Dakës janë politike dhe asnjë formë zbatim i Ligjit dhe rregullave në Kosovë. Vendimi do të ishte plotësisht i besueshëm sikur Valdete Daka të jepte dorëheqje. Po flas për përgjegjësinë, jo për emër të përveçëm, e cila një vit përpara ka lënë z. Kurti dhe të tjerët që të kandidojnë. Le të del të tregon se çka ka ndërru në Kushtetutë, në Ligjin për zgjedhje?”, tha Abazi në “Kallxo Pernime”.

Sipas tij, nuk është obligim e as përgjegjësi juridike e Dakës të merret me aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Le të japë dorëheqje për vendimet e së kaluarës që i ka leju të gjithë emrat të kandidojnë në zgjedhjet e 2019”, shtoi ai.

Daka: Kërcënimet ndaj meje janë të paprecedenta dhe të rrezikshme