Daka mbyll mbledhjen e KQZ-së pas debatit me Sami Kurteshin

Me debat të ashpër dhe përplasje mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është mbyllur edhe mbledhja e sotme.

Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka, tha se puna e Qendrës për Numërim dhe Rezultate ka qenë “200 për qind transparente” pasi sipas saj kanë qenë me me qindra vëzhguez nga të gjitha partitë  dhe vëzhgues ndërkombëtarë.

“Puna e QNR-së është komplet transparente. Po krijohet përshtypja se këto rregulla janë vendos enkas për këto zgjedhje. Jo nuk është e vërtetë. Këto rregulla kanë ekzistu gjithmonë janë të njëjta për të gjithë dhe asnjëherë nuk ka pas probleme e vërejtje”, tha Daka.

Sami Kurteshi, anëtar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se Daka tha se në QNR numërimi ka qenë transparent por  aty sipas tij janë marrë vendime ad hoc nga njerëz jo transparent.

Kryeshefi ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj, tha se nuk kanë shpikur rregulla sekretariati, por rregullat janë caktuar nga KQZ-ja.

“Në D7 janë dërgu 153 pako me fletëvotime që tejkalojnë rrethin e ngushtë familjar. Nuk është diçka që e kemi shpik por që na ka ardh nga rregullat që vijnë nga KQZ. D8 ka të bëjë me pako të fletëvotimeve sipas kategorisë së refuzimit, nuk e përmban vulën dhe pullën postare të postës dërguese nga shteti ku është ku jetojnë. Nuk është shpikje e sekretariatit”, tha Ahmetaj.

“Me thanë shkurt e shqip janë dërgu nga Posta e Kosovës”, tha Daka, duke tentuar ta shpjegojë edhe më tutje çështjen.

Sipas Ahmetaj janë 385 zarfe që kanë ardhur prej Kosovës me vula të Kosovës.

Arianit Elshani anëtar i KQZ-së nga PDK-ja tha se ato vota janë vota serbe të mbledhura në Graqanicë. Elshani i ka quajtur vota të kontrabanduara.

“Janë të Graçanicës, janë vota serbe të mbledhura në Graqanicë, pyeteni shërbimin votues. Janë mundu me kontrabandu votën. 83 fletëvotime me një zarf, 39 votime një zarfin tjetër, 37 vendvotime në zarfin tjetër. Këto duhet mu dërgu në Prokurori gjitha dyshimet për kontrabandim të votës”, tha ai.

Kurteshi ka kërkuar që kjo çështje të tregohet nga sekretariati publikisht e jo në heshtje.

Pas një diskutimi të ashpër mes Dakës dhe Kurteshit, kryesuesja e mbylli mbledhjen e KQZ-së pa u përfundu gjitha pikat e rendit të ditës.

Daka ka kërkuar nga Kurteshi mos të bërtas gjatë diskutimit.
“Unë bërtas sa të bërtitni ju”, tha Kurteshi.

Daka ka mbyllur mbledhjen duke thënë se nuk mund të vazhdojë.

“Konsideroj që mbledhja nuk mundet me vazhdu. Në momentin që Sami Kurteshi fillon me u sjell si njeri normal dhe njeri i kulturum vazhdojmë mbledhjen”, tha ajo.