Ivica Daçiq - Foto: REL/AP

Daçiq reagon ndaj masave të reja të reciprocitetit të vendosura nga Qeveria Kurti

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila ka vendosur masa të reja të reciprocitetit ndaj vendit të tij.

Daçiq ka thënë se për Serbinë është i  papranueshëm veprimi i Prishtinës, e cila ka ndaluar hyrjen e mallit nga Serbia pa dokumente ku shkruhet “Republika e Kosovës”. Madje, sipas tij, vetë reciprociteti është një masë me e keqe se tarifa 100 për qind.

“Këto janë masa të reciprocitetit për të cilat as qytetarët e Serbisë e as bashkësia ndërkombëtare nuk janë pajtuar, njëjte si atë taksën, e cila pat dyfishuar çmimin e mallrave, por së paku qarkullonte. Qeveria në Prishtinë ka marrë vendim të masave të reciprocitetit, hap i cili u mirëprit nga ana e disa shteteve. Ndërsa ne menjëherë kemi thënë që kjo gjë është e papranueshme”, citohet të ketë thënë Daçiq për RTS.

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë ka thënë që dialogu nuk mundë të vazhdojë me këto masa të ekzekutivit kosovar andaj edhe ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar që të reagojë sa më shpejt.

“Nuk kemi ndër mend të vazhdojmë dialogun deri sa nuk hiqet tarifa  dhe reciprociteti. Për neve kjo është e papranueshme, dhe i mohon të gjitha marrëveshjet. Me të drejtë presim reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Richard Grenell më herët ka reaguar për këtë çështje dhe ka thënë se vendosja e masave të reciprocitetit është një lloj me vendimin për heqjen e taksave”, theksuar ai.

Duke ju referuar dialogut, diplomati serb ka thënë që dialogu është munduar të mbahet gjallë me frymëmarrje artificiale.

“Dialog nuk ka, dhe në tërë këtë situatë shumë faktorë ndërkombëtar janë përpjekur që të mbajnë bisedat në frymëmarrje artificiale si Merkeli dhe Makroni, ndërsa qasja e administratës amerikane është ndryshe nga qasja e Bidenit dhe Hillary Clintonit”, ka thënë tutje ai për RTS.

Sipas tij, Serbia në kuadër të dialogut nuk do të negociojë për njohje të Kosovës, sepse një gjë të tillë Serbia nuk do ta pranojë.

“Dëshirojnë pavarësinë e Kosovës, dëshirojnë që Serbia ta pranojë, por ky nuk është dialogu dhe ne këtë nuk do ta pranojmë. Ata nuk kuptojnë se gjërat kanë ndryshuar, presin që komuniteti ndërkombëtar t’ua sjellë çdo gjë në pjatë”, tha tutje ai.

Sipas tij, rifillimi i dialogut nuk vjen në konsideratë nëse Kosova nuk i largon të gjitha masat ndaj shtetit serb.

“Sot nuk është më kështu. Dhe kjo varet se sa do të jetë stabile dhe e fortë Serbia, dhe pozita jonë është jashtëzakonisht e fuqishme. Nuk vjen në konsideratë asgjë pa heqjen e reciprocitetit. Serbia nuk do ta pranojë Kosovën, por dëshiron dialog dhe kompromis. Nëse mendojnë që kompromis do të thotë që Serbia të pranojë Kosovën, kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë Daçiq.

Qeveria Kurti ka filluar zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Dje Qeveria ka marrë vendim i cili parasheh që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të ndalohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi.

ShBA dhe Serbia vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e tarifës dhe reciprocitetit për t’iu kthyer tavolinës së bisedimeve të cilat ishin ndërprerë për shkak të tarifës 100 për qind të cilën Qeveria Haradinaj e kishte vendosur ndaj shtetit të Serbisë si kundërpërgjigje për fushatën e çnjohjeve.