Ivica Daçiq - Foto: REL/AP

Daçiq prezanton letrën e tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Togo

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka prezantuar para mediave letrën nga qeveria e Togos në të cilën ai ka thënë se gjendet vendimi për ta tërhequr njohjen që ky shtet i kishte bërë Kosovës.

Daçiq, i cili është angazhuar në një fushatë diplomatike për t’i bindur shtetet, sidomos ato afrikane, për t’i tërhequr njohjet e Kosovës, ka thënë për televizionin serb Pink se Togo është shteti i 15-të që e tërheq njohjen.

Ai ka thënë se vendimi për tërheqjen e njohjes është marrë më 28 qershor të këtij viti.

Daçiq ka thënë se në ditën kur kishte dashur ta bënte publike këtë letër, Quint e kishte lëshuar një deklaratë në të cilën i bënte thirrje Serbisë që ta ndërprente fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Togo e kishte njohur pavarësinë e Kosovës në korrik të vitit 2014.