Daçiq: Politikanët e Kosovës dëshmuan se nuk u interesojnë jetët e njerëzve

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë të OKB-së  ka komentuar situatën politike në Kosovë.

Daçiq ka hedhur akuza në drejtim të politikanëve të Kosovës se në kohë pandemie ‘për ta më e rëndësishme është se kush do të jetë në pushtet’.

“Autoritetet e Prishtinës kanë treguar se jetët e njerëzve nuk janë parësore dhe s’ka asgjë më të rëndësishme se sa kush do të jetë në pushtet. Me duhet të theksoj se kjo tregon se krijimi i një shteti si Kosova është i rrezikshëm për sigurinë kombëtare”, tha ai.

Kosova është ballafaquar me një krizë politike pasi që Qeveria u rrëzua nga partneri i koalicionit, LDK dhe është duke u pritur formimi i Qeverisë së re.

Kjo gjë u kritikua pasi që kriza erdhi në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e coronavirusit.

Ivica Daçiq në fjalën e tij në Këshillin e Sigurisë të OKB-së tha se shteti i tij e ka ndihmuar Kosovën me 100 mijë teste për coronavirus.

“Ne kemi shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me shqiptarët dhe institucionet e Prishtinës. Ne u kemi ndihmuar duke dhënë 1 mijë teste për të konfirmuar rastet e reja pozitive me coronavirus”, tha ai.

Daçiq po ashtu në fjalën e tij tha se serbët e Kosovës do ta kenë përkrahjen e Serbisë.

“Serbët në Kosovë nuk janë të vetëm dhe ne kujdesemi për ta në këto kushte të vështira dhe ne kemi marrë veprime konkrete për të ndihmuar serbët e Kosovës me ushqim, barna dhe pajisje tjera mbrojtëse”, tha ai.

Ministri i Jashtëm serb po ashtu në fjalën e tij kërkoi edhe heqjen e reciprocitetit për produktet serbe, në mënyrë që dialogu Kosovë-Serbi të vazhdojë.